Bislimi takohet me Gert Jan Koopman, ritheksohet përkrahja ndaj Kosovës drejt Integrimit Evropian

E publikuar: 17/05/2023 18:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka pritur në takim drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman.

Në këtë takim, u ritheksua përkrahja ndaj Kosovës në procesin e Integrimit Evropian, duke përfshirë reformat nga ERA II dhe zbatimin e MSA-së, transmeton klankosova.tv.

Në takim edhe u vlerësua progresi i vendit, ku u tha se Kosova ka dëshmuar të arritura në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

”Puna dhe përkushtimi ynë do të vijojë në zbatimin e MSA-së, përmes dhe fuqizimit të kapaciteteve për zbatim dhe koordinim të reformave. Politikat qeveritare për punësim dhe drejtësi, janë në sinkron me pritjet e Komisionit Evropian dhe për këtë u konfirmua gatishmëria për të mbështetur Qeverinë, përfshirë me asistencë teknike dhe projekte konkrete. Pakoja energjetike dhe përkrahja e pakos vjetore nga IPA 2023 me 75 milionë euro, ishin gjithashtu në fokus të diskutimeve me theks në masat për kursimin dhe diversifikimin e energjisë”.

Në këtë takim u diskutua dhe në lidhje me Reformën e Administratës Publike me theks në dy ligjet bazë dhe Racionalizimin e Agjencive si dhe për procesin e reformës gjyqësore, vetingun, përpjekjet për adresimin e dhunës në familje dhe reformat tjera në fushën e sundimit të ligjit.

U përgëzua Kosova për pakot dhe reformat socio-ekonomike, si dhe për performancën ekonomike të vendit, duke shënuar përmirësime në indikatorë të rëndësishëm, ku synimi është vazhdimi i trendit pozitiv dhe impaktit e fryteve edhe në të ardhmen të politikave publike të adoptuara.

Potenciali për investime dhe sektori i IT, potenciali i të rinjve dhe rritja e punësimit, ishin gjithashtu ndër temat e prekura përgjatë diskutimit.

Zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej në këtë takim nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ndërsa z. Koopman shoqërohej nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog.