Kosova i ka dërguar sot një shkresë emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në të cilën janë theksuar 20 modalitete për atë se çfarë mund të bëhet pa kontestuar ligjshmërinë e vendimit për targat. Kështu ka bërë të ditur për Tëvë 1 zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi.
Bislimi tha se në momentin që ka dakordim do ta bëjnë publike.
“Ne jemi ende në kontakt me Lajçakun, sot i kemi dërguar edhe me shkrim atë mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Dhe atë moment që ne kemi dakordim e bëjmë publike. Modaliteti janë 20 sosh, në 20 mund të jetë secili, por për të cilin ne kemi diskutuar, edhe të cilin jemi duke e suportuar është diçka tjetër”, tha ai në “Ditari” në Tëvë 1.
Bislimi potencoi se Bashkimi Evropian është i interesuar që të mos ketë tensione në terren.
Sipas masave të marra nga Qeveria e Kosovës, të hënën fillon gjobitja për targat ilegale.
Qeverisë Kurti i është kërkuar edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja që të shtyjë vendimin për targat si dhe të nisë themelimin e Asociacionit të komunave serbe.