Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, shkroi në rrjetin social facebook, për takimin që e zhvilloi gjatë ditës së sotme me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák dhe Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.
Bislimi tha se fokusi i takimit ishte mbarëvajtja e procesit të dialogut dhe hapat e mëtutjeshëm të tij.
“Mbarëvajtja e procesit të dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të fokusit të takimit dhe temave të diskutimit. Riktheksova se dialogu është në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, shkroi ai.
Bislimi shton se edhe njëherë u theksua përkrahja amerikane për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
” Z. Escobar tha se ky proces ka përkrahje të plotë nga ana e SHBA-ve. Ndërkohë, z. Lajçak tha se ky takim është një mundësi e mirë për të vazhduar diskutimet dhe avancuar mëtej në këtë proces. Gjithashtu, konfirmova përkushtimin e Kosovës në vazhdimin e angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut”, përfundon shkrimi i tij.
Reagimi i plotë:
Sot mirëprita në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák dhe Zëvendësndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.
Mbarëvajtja e procesit të dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të fokusit të takimit dhe temave të diskutimit. Riktheksova se dialogu është në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme, përmes një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. U potencua pacenueshmëria e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.
Shpreha mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE. Z. Escobar tha se ky proces ka përkrahje të plotë nga ana e SHBA-ve. Ndërkohë, z. Lajçak tha se ky takim është një mundësi e mirë për të vazhduar diskutimet dhe avancuar mëtej në këtë proces. Gjithashtu, konfirmova përkushtimin e Kosovës në vazhdimin e angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut.


















