Kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, ka folur mbi takimin e sotëm të Brukselit, për të cilin tha se ishte për t’u qartësuar se ku ndodhet i gjithë procesi.
Sipas tij, sot s’bëhej dot fjalë për pritshmëri rezultatesh, përcjell klankosova.tv.
”Nuk është dashtë të priten rezultatet sot. Ky takim ka qenë për ta bërë të qartë se ku ndodhet procesi i dialogut dhe se ku duam të shkojmë”.
”Pra është diskutuar për gjithçka që ka të bëjë me Marrëveshjen e 27 shkurtit”, deklaroi Bislimi siç shkruan televizioni publik, dhe sipas të cilit, situata në veri nuk ka qenë fare pjesë e diskutimeve në takimin e sotëm.
”Sekuentimi për ne ka qenë pjesë qendrore e takimit. Kemi pasur propozimet tona dhe vërejtjet tona… pala serbe ka thënë se ‘ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër’ ”.
”Mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet. Situata në veri nuk është trajtuar fare. Mirëpo kanë qenë dokumentet të cilat i ka sjell [Miroslav] Lajçak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë”, ka thënë Bislimi.