Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pasi sot Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se edhe një votim i fundit ka mbetur në përmbylljen e procedurave për liberalizimin e vizave.
Bislimi tha se hapi i fundit është në seancën e Parlamentit Evropian më 18 prill e më pas mbetet nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së.
“Edhe një votim i fundit ka mbetur, në përmbylljen e procedurave për liberalizimin e vizave. Pas votimit të Këshillit të Ministrave të BE-së me 9 mars, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) votoi ditën e sotme tekstin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, duke hapur kështu rrugën pёr votimin e fundit të mbetur nё seancën plenare tё Parlamentit Evropian. Pas hapit të fundit në seancën e Parlamentit Evropian, i cili pritet të mbahet me 18 prill, do të mbetet vetëm nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së. Në përfundim të këtyre procedurave të fundit, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, jo më larg se 1 janari i vitit 2024, duke i dhënë kështu fund një pritjeje të gjatë”, ka shkruar ai.