Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për “Radio Gorazhdecin” (minuta 18:20 e tutje), radio kjo në gjuhën serbe që funksionon në rajonin e Pejës, ka thënë se kjo gjykatë prodhon “dokumente kontroverse” dhe se gjykatësve “u mungon kompetenca dhe kredibiliteti”.
Këtë koment, Bislimi e bëri kur u pyet mbi vendimin e kësaj gjykate në lidhje me pronën e Manastirit të Deçanit.
“Gjykata jonë Kushtetuese njihet për prodhim të dokumenteve kontroverse në vendime dhe këtë e shohim në baza ditore, sepse ne besojmë se atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti, dhe ky nuk është i vetmi vendim i Gjykatës që nuk ka mundur të zbatohet në të kaluarën, për shembull Gjykata ka prodhuar një dokument tjetër, një vendim tjetër, që pak a shumë njeh kërkesën e punëtorëve të një kompanie të privatizuar në Ferizaj në vlerë prej 22 milionë euro, ndërsa në të njëjtën kohë ligji thotë se nuk mund të kompensohen punëtorët më shumë se 80% për qind të vlerës së shitur të firmës, që ka qenë 5 milionë”, u shpreh zëvendëskryeministri.
Më tej, Bislimi e quajti Gjykatën Kushtetuese “ambient të korruptuar”.
“Nëse puna ime, nëse premtimi im për qytetarët është të sjell drejtësi, dhe kur dihet mirë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një ambienti të korruptuar, më së paku që mund të bëj është të deklaroj publikisht se ky vendim, sipas mendimit tim, nuk është produkt i një institucioni kredibil”, potencoi Besnik Bislimi, zëvendësi i parë i kryeministrit Albin Kurti.


















