Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi ka pranuar sot Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomasz Szunyog.
Bislimi ka shkruar se ky raport konstaton se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt BE-së.
“Dëshmohen arritje të rëndësishme legjislative tek kriteret politike, zbatim të masave e progres në ato ekonomike e standardet e BE-së”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Bislimi veç tjerash ka shkruar se Kosova beson në të ardhmen e vet evropiane dhe si shembull i demokracisë në rajon, duhet t’i jepet mundësia që këtë edhe ta dëshmojë.
“Andaj edhe në këtë rast, e ftova BE-në, respektivisht Këshillin e BE-së, që ta mandatojë Komisionin Evropian që përmes pyetësorit, të bëjë vlerësimin tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka shkruar zv/kryeministri në Facebook.



















