Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Bordi i drejtorëve ekzekutivë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka aprovuar financimin për Kosovën në vlerë prej 52 milionë eurosh.
“Sot, me datë 10 prill 2020, Bordi i drejtorëve ekzekutivë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) aprovoi financimin për Kosovën në vlerë prej 52 milionë euro. Aprovimi i këtij financimi është bërë i mundur pas një serie të diskutimeve midis ekipit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe atij të FMN-së, mbi vlerësimin e ndikimit ekonomik dhe fiskal të masave që ndërlidhen me virusin COVID 19”, ka shkruar Bislimi.
Tutje ai ka shkruar se ky financim vjen në një periudhë mjaft kritike për vendin, dhe me këtë rast Ministria e Financave dhe Transfereve vlerëson lart mobilizimin e shpejtë të ekipit teknik të FMN-së dhe aprovimin e menjëhershëm të këtij financimi nga Bordi Ekzekutiv.
“Në ditët dhe javët në vijim, presim edhe aprovime të financimeve nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare, si pjesë e mobilizimit tonë për gjetjen e burimeve shtesë të financimit, pas boshllëkut buxhetor, të krijuar nga ngjarjet e fundit”, ka shkruar ai.