Themeluesja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, mendon që presidenti i këtij shteti Aleksandar Vuçiq, nuk do nënshkruajë ujdi me Kosovën që përfshin njohjen e ndërsjellë.
“Nuk pres që Vuçiq ta pranoj Kosovën. E mundur është që nëse ai bëhet racional e punon në interes të Serbisë, do pranoj që Kosova të hyjë në organizata ndërkombëtare. Me rëndësi është anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës e NATO, pra në organizata ku nuk ka rusë “, tha Biserko.
Duke folur për Klan Kosova,aktivistja e njohur shton se ka”vetëdije në Serbi që s’përmendet shpesh” e që është pranimi i realitetit në raport me Kosovën.
“Shumica e njerëzve e dinë që Kosova është e humbur dhe se ajo ka shkuar rrugës së saj. Por sikur Serbia ashtu dhe Rusia e shfrytëzojnë rastin e Kosovës për çështje tjera. Serbia që të fitoj kompensim në Bosnjë, pra Republika Srpska, kurse Rusia të tregoj se si shmang hyrjen e Serbisë në BE e NATO. Në thelb ky është fronti i saj me perëndimin”- tha ajo.
E sa për kërkesat në rritje ndaj Beogradit zyrtar që të rreshtohet me perëndimin e t’i vë sanksione Moskës për luftën në Ukrainë, Biserko, shton se Vuçiq, është futur në qoshe dhe se duhet të vendos me cilën anë është.
“ Duke parasysh profilin e tij psikologjik dhe se si ai ka vepruar deri tani, ky do të jetë vendim i rëndë për të. Vuçiq, mbi të gjitha është përgjegjës për rusofilin që ekziston në Serbi në 10 vitet e pushtetit të tij. Kjo është ngritur në një nivel që kurrë më parë nuk ka ekzistuar, madje as në kohën e Sllobodan Millosheviqit” – përfundoi Biserko.