Biserko: Serbia nuk do normalizim të marrëdhënieve me Kosovën

E publikuar: 23/12/2022 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, duke folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës ka vënë në dukje se Beogradi nuk është i interesuar për marrëdhënie normale me Kosovën, teksa theksoi se Rusia ka ndikim të madh në këtë çështje.

Biserko ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç tashmë ka më pak hapësirë për të manovruar, siç ka bërë vitet e fundit.

“Do të thosha që Beogradi nuk është i interesuar për të pasur marrëdhënie normale me Kosovën. Ne duhet të kemi parasysh edhe kontekstin, kemi grupet paramilitare në veri të Kosovës dhe grupet etnike në veri të Kosovës që janë një formë barrikade. Ata përpiqen të ndalojnë çdo lloj marrëdhënie me Kosovën. Ky është prioriteti i Rusisë. Vuçiq ishte duke bërë manovra gjatë viteve të fundit, por tani ka më pak hapësirë për të bërë këto lojëra. Ai nuk ka strategji për të sqaruar situatën me Kosovën”, tha Biserk, për Abcnews.al.

Ajo tha se duhet të ulet ndikimi rus në Serbi, që është shumë i madh.

“Ka persona në opozitë dhe pranë Vuçiqit që janë pro-rusë dhe gjatë luftës në Ukrainë mbajnë anën e Rusisë. Çështja është si Perëndimi ka për të adresuar çështjen e Serbisë, në mënyrë që mos të ushtrojë shumë presion, për të mos e humbur Serbinë. Ajo që është duke ndodhur te pjesa Perëndimore është duke ndryshuar në mënyrë të përditshme. Ju mund të shikoni përpjekjet e shteteve të ndryshme të BE-së që po humbasin durimin me Serbinë dhe thonë se Serbia nuk duhet të lejohet që të jetë pjesë e negociatave. Ne jemi në një situatë kur lidershipi në vendin tonë duhet të marrë një anë”.

“Ne shikojmë radikalizimin dhe që u japin zë ekstremistëve. Shikojmë persona në fushën e sigurisë që jo vetëm janë pro-rusë, por janë edhe rus. Dhe kjo nuk është një tregues i qartë i qëndrimit të Vuçiç”, tha ajo.

Ndërsa, një ditë më parë, Biserko për gazetën serbe “Danas” tha se situata në kufirin me Kosovën është shumë më e ndërlikuar për shkak të pranisë së njësisë paraushtarake ruse “Ëagner” dhe “Ujqit e natës” si dhe grupeve ekstremiste serbe, që bëjnë gjithçka për të provokuar një konflikt dhe më pas të gjejnë justifikim për të pushtuar veriun.

“Është interesante deklarata e presidentit nga Azerbajxhani se ai dëshiron të ‘marrë përvojat e tyre, sepse ata dinë të luftojnë dhe të fitojnë’. Në të njëjtën kohë, ai harron se fitorja e fundit ishte e mundur për shkak të ndërhyrjes së Turqisë, të cilën Rusia e injoroi. Është e qartë se ai [Vuçiq] po llogarit në mbështetjen ruse, sepse tashmë KFOR-i dhe NATO-ja e kanë paralajmëruar që të mos shkojë në atë drejtim”, thotë Biserko.