“Kur të bjerë bota ruse, do të bjerë edhe bota serbe”Duke u larguar nga institucionet e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e teston bashkësinë ndërkombëtare aq sa mund ta manipulojë, tha për gazetën serbe, Danas, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, në përgjigje të pyetjes nëse dhe kur serbët nga Kosova do të kthehen në institucione.
“Vuçiq, siç e dini, ka muaj që ka ngritur tensione dhe e ka akuzuar sistematikisht Kurtin. Kurti, nga ana tjetër, nuk dëshiron ndarje. Vuçiq ka aleatë edhe në Prishtinë edhe në Tiranë”, thotë Biserko.
Largimi i serbëve nga institucionet, thekson ajo, është një presion shtesë mbi Kosovën.
“Përveç kësaj, Vuçiq vazhdimisht e spinson historinë nëpër media të ndryshme dhe personalisht se Gjermania dhe Britania e Madhe janë pas çdo gjëje që bën Kurti dhe duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kuptojnë Serbinë. Fakti është se SHBA-ja dhe BE-ja e mbështesin propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Vuçiq nga institucionet po e teston bashkësinë ndërkombëtare për aq sa mund ta manipulojë. Megjithatë fakt është se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar tri marrëveshje në Berlin. Prandaj Kosova është një vend i barabartë”, thotë Sonja Biserko.
Siç shton ajo, Vuçiq insiston që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe para nënshkrimit të marrëveshjes, ndërsa Kosova pas marrëveshjes, përcjell Express.
“Unë mendoj se serbët do të kthehen në institucione. Dhe bashkësia ndërkombëtare insiston në këtë. Kur bota ruse të bjerë, do të bjerë edhe bota serbe, siç e ëndërron Beogradi”, përfundon ajo.