“Biseda deri në minutat e fundit”, Limaj: Nuk ka bashkim me PDK-në, Nisma garon e vetme me 110 kandidatë

E publikuar: 07/12/2025 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka konfirmuar sonte në një konferencë për media se nuk ka ndodhur bashkimi me PDK-në për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke i dhënë fund pritjeve dhe spekulimeve të ditëve të fundit.

Limaj tha se pavarësisht bisedimeve që janë zhvilluar deri në minutat e fundit, marrëveshja për bashkim nuk është arritur dhe se Nisma do të garojë e vetme në zgjedhje me listën prej 110 burrash dhe grash.

Ai theksoi se shumë qytetarë, bashkëpunëtorë, ish-luftëtarë dhe diaspora kanë pritur një lajm për bashkim, një lajm që, siç tha ai, “do t’i gëzonte zemrat”, por përkundër përpjekjeve, marrëveshja nuk u arrit.

“Shpresa ka nevojë për guxim. Ne jemi munduar deri në këtë sekond, bashkë me bashkëpunëtorët, t’ju japim një lajm. Fatkeqësisht, ai bashkim që e keni pritur nuk ka ndodhur. Kemi dashur të shkojmë bashkë në këtë garë, por nuk u bë,” u shpreh Limaj.

Megjithatë, ai paralajmëroi se ideja e bashkimit nuk ka përfunduar me këtë proces zgjedhor, duke thënë se rruga drejt bashkimit është e vështirë, por do të vazhdojë.

“Individi nuk e ndal bashkimin. Ai bashkim do të vijë. Ka mundur të vijë sonte… në Prishtinë nuk ndodhi. Ne do të kthehemi te baza dhe do të vazhdojmë të punojmë,” deklaroi Limaj.