Birmania tronditet nga skllavëria e fëmijëve (Foto)

E publikuar: 23/09/2016 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Birmanisë ka urdhëruar që të niset një hetim në rastin e dy vajzave që mendohet se janë mbajtur të mbyllura dhe janë torturuara për 5 vite më radhë, në një dyqan të rrobaqepësisë.

Adoleshentet janë liruar javën e kaluar me ndihmën e një gazetari, raporton BBC.

Familjet e këtyre vajzave thonë se policia kishte refuzuar disa herë lutjet e tyre për të ndërhyrë në këtë rast.

Më në fund, policia e ka arrestuar rrobaqepësin së bashku me dy anëtarët e tij të familjes.

Dy vajzat ishin vetëm 11 dhe 12-vjeçe kur u dërguan në kryeqytetin tregtar në Yangon nga prindërit e vet.

Për familjet e varfra të Birmanisë është një vendim i dhimbshëm por i zakonshëm për t’i dërguar fëmijët që të punojnë në qytete tregtare.

Sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara, një milion fëmijë birmanë janë të detyruar që ta lënë edukimin arsimor për të punuar. Këto dy vajza u bënë shërbyese në një dyqan rrobaqepësie në qendër të Yangonit, por, çfarë kishte filluar si punë e pagueshme u kthye në skllavëri moderne.

Vajzat kanë thënë se atyre iu ndaluan kontaktet me prindër, nuk janë paguar dhe nuk janë lejuar të largoheshin.