Eurodeputeti sllovak, Vladimir Bilçik, ka vlerësuar se drejt arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat, Bashkimi Evropian pret që autoritetet kosovare të ndërmarrin veprime konkrete.
“Në këtë moment kur bëhet fjalë për targat, është e qartë se topi është në duart e Prishtinës dhe presim që Prishtina të ndërmarrë veprime”, theksoi ai për mediumin serb Tanjug.
Ai shtoi se ka ende paqartësi, por problemet mund zgjidhen vetëm nëse ka vullnet të mirë nga të dyja palët për të ecur përpara.
“Në të njëjtën kohë, ka ende shumë pyetje të hapura që mund të zgjidhen vetëm nëse ka vullnet të mirë për ta lënë pas të kaluarën dhe të shikojmë drejt së ardhmes”.
“Shpresoj se ekipet negociatore do të gjejnë një zgjidhje në orët dhe ditët në vijim që do të ulnin tensionet në rajon”, shtoi ai.
Ndryshe, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviç janë duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave.
Këtë të mërkurë, ata u pritën në Bruksel nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për të diskutuar në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së targave.
Ndryshe, Lajçak përmes një cicërime në Twitter ka thënë se po shpreson sinqerisht që do të gjendet një zgjidhje për ta depërshkallëzuar tensionet, derisa shtoi se shpreson të punohet drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Takimi po zhvillohet dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të hënën në Bruksel por nuk gjetën gjuhë të përbashkët lidhur me çështjen e targave.
Disa orë përpara afatit të fundit, kur policia do të fillonte lëshimin e gjobave prej 150 eurosh, kryeministri Kurti, pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta shtyjë vendimin për masën e gjobitjes edhe për 48 orë të tjera, duke thënë se ishte “i lumtur që punonte me SHBA-në dhe BE-në”.
Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë. /Albanianpost.com