Kryesia e BIK-së, përmes një kumtese për medie, njofton opinionin dhe besimtarët e saj se Dr. Shefqet Krasniqit nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës në BIK, pra ai, vazhdon të jetë profesor i rregullt në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, aty ku edhe ka qenë më parë.
Ndërsa, për sqarim, e ritheksojmë se Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës të njëjtit ia ka ndërprerë kontratën e punës me honorar si ligjërues në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Vendimi i Këshilli të BI-së së Prishtinës është në përputhje të plotë me të gjitha aktet normative në fuqi, thotë kumtesa dhe shton se “fton besimtarët tanë që mos të bien pre e spekulimeve dhe manipulimeve që janë duke qarkulluar këto ditë nëpër qarqe të ndryshme përmes rrjeteve sociale se gjoja BIK ka përjashtuar nga puna Shefqet Krasniqin.
Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, ka qenë një muaj në paraburgim, me dyshimin e bazuar për prishje të rendit kushtetues. Ai ka qenë i arrestuar me grupin e imamëve më 17 shtator të vitit të kaluar, transmeton koha.net.
Ndërkohë Krasniqi ishte liruar nga paraburgimi dhe i ishte shqiptuar masa e arrestit shtëpiak. Por edhe kjo masë më vonë i ishte zbutur dhe zëvendësuar me paraqitje në polici një herë në javë. Atij po ashtu i është ndaluar kontakti me persona të caktuar dhe mbajtja e ligjëratave në ambientet e kulteve fetare.