Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor dhe profesori i Universitetit të Grazit, Florian Bieber ka thënë se ndërkombëtarët ende shohin potencial që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ta zgjidhë problemin me Kosovën. Gjithashtu, ai ka thënë se Vuçiq e ka pranuar propozimin franko-gjerman vetëm me shpresën që Qeveria e Kosovës do ta refuzojë atë.
Sipas Bieber, Vuçiq po e shfrytëzon në favor të tij bindjen e ndërkombëtarëve për të mbetur në pushtet.
“Ai po përdor prioritetet ndërkombëtare për interesat e tij”, ka thënë Bieber, duke shprehur frikën se Ballkani mund të hyjë në një fazë të re të stabilokracisë, transmeton Gazeta Express.
Ai ka vlerësuar se aktualisht SHBA dhe BE e kanë më të rëndësishme që Serbia ta arrijë një kompromis me Kosovën dhe të vë sanksione ndaj Rusisë, se sa politikat e brendshme serbe.
“Ka ende një përshtypje se ai është njeriu që mund ta zgjidhë problemin me Kosovën. Kjo pritje ekziston. Vuçiq mbijeton mbi këtë ide, mbi idenë se ai është njeriu që mund ta kryej këtë punë”, ka vlerësuar ai.
Megjithatë, sipas njohësit të Ballkanit, për Vuçiqin mund të vijnë ditë të këqija kur pasi të jenë zgjidhur çështjet e rëndësishme dhe kur Perëndimi ta kthejë vëmendjen te reformat e brendshme.
Ai, duke folur për televizionin N1, ka thënë se pa demokratizim të brendshëm, Serbia nuk do të mund të hyjë bë BE.
Duke e komentuar propozimin franko-gjerman, ai ka thënë se ky hap nuk mund të jetë zgjidhja finale, por vetëm një hap i ndërmjetëm. Sipas tij, Vuçiq e ka pranuar propozimin me shpresën se pala tjetër (Kosova) nuk do ta pranojë.
“Do të ishte ideale për të, që propozimi të dështojë për shkak të qëndrimit të Qeverisë së Kosovës. Kjo nuk do të ndodh. Pranimi i propozimit ka qenë mënyra e tij për ta hedhur përgjegjësinë te Prishtina”, ka theksuar ai.
Bieber ka vlerësuar se në këtë kohë, për Kosovën nuk është shumë e rëndësishme njohja nga Serbia, por njohja nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas tij, kjo gjë do t’ia mundësonte Kosovës që të bëhej pjesë e BE-së dhe NATO-s, pa njohjen e Serbisë.
Megjithatë, Bieber ka folur me rezerva për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bazuar në propozimin franko-gjerman. /GazetaExpress