Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe ai i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy
Biden-Zelenskiy marrëveshje 10 vjeçare në fushën e mbrojtjes, cilësohet si pararendëse e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe ai i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy nënshkruan të enjten një marrëveshje dypalëshe sigurie 10-vjeçare që synon të forcojë mbrojtjen e Ukrainës përballë sulmeve nga Rusia.
Marrëveshja, e nënshkruar kuadër të takimit të Grupit të Shtatë vendeve më të industralizuara të botës, G7 që po zhvillohet në Itali, synon të angazhojë administratat e ardhshme amerikane që të mbështesin Ukrainën, edhe nëse ish-presidenti Donald Trump fiton zgjedhjet e nëntorit, thanë zyrtarët.
Do të jetë një kornizë për një përpjekje afatgjatë nga ana e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në zhvillimin e forcave të armatosura të Ukrainës dhe një hap drejt anëtarësimit përfundimtar të Ukrainës në NATO, siç thuhet në tekstin e marrëveshjes.
“Qëllimi ynë është të forcojmë aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të Ukrainës për një periudhë afat-gjatë”, tha Presidenti Biden.
Presidenti Zelenskiy e cilësoi marrëveshjen si historike për vendin e tij.
Zoti Zelenskiy ka kërkuar prej kohësh anëtarësimin në NATO, por aleatët nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë. Aleanca perëndimore e konsideron çdo sulm të nisur ndaj një prej 32 anëtarëve të saj si një sulm ndaj të gjithëve, sipas nenit 5 të Traktatit të NATO-s që i referohet mbrojtjes kolektive.
“Palët e njohin këtë marrëveshje si urë mbështetëse për anëtarësimin përfundimtar të Ukrainës në aleancën e NATO-s”, thuhet në tekst.
Në rast të një sulmi të armatosur ose kërcënimi të tillë kundër Ukrainës, zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës do të takohen brenda 24 orëve për t’u konsultuar mbi reagimin dhe për të përcaktuar se cilat janë nevojat shtesë të Ukrainës për mbrojtjen, thuhet në marrëveshje.
Në bazë të marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre mbi të drejtën e Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, në mesin një sulmi të ripërtërirë nga Rusia në frontin lindor të Ukrainës.
“Për të garantuar sigurinë e Ukrainës, të dyja palët pranojnë se Ukraina ka nevojë për forca ushtarake të konsiderueshme, forcim të kapaciteteve dhe investime të qëndrueshme në bazën industriale të mbrojtjes, që janë në përputhje me standardet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO)”, thuhet mes të tjerash në tekstin e marrëveshjes.
Mbetet e paqartë e ardhmja e kësaj marrëveshjeje në rast se zgjedhjet presidenciale të nëntorit fitohen nga ish-presidenti Donald Trump.
Ai ka shprehur spekticizëm mbi luftën në Ukrainë duke u shprehur në një rast se ai do t’i jepte fund konfliktit që ditën e parë të detyrës. /VOA