Biden: Izraeli po humbet mbështetjen ndërkombëtare pas bombardimeve

E publikuar: 12/12/2023 22:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se Izraeli ka filluar të humbasë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa vendi vazhdon fushatën e tij masive të bombardimeve brenda Gazës.

Sipas mediave të huaja, në fundjavë, forcat ajrore izraelite thanë se kishin kryer mbi 22 mijë sulme në enklavën 41 km të gjatë dhe 10 km të gjerë që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor.

Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar se janë mbështetësi më i madh i Izraelit në skenën botërore deri më tani, por marrëdhënia ka filluar të tensionohet ndërsa viktimat civile rriten si rezultat i veprimit të Forcave të Izraelit.

“Siguria e Izraelit mund të mbështetet në Shtetet e Bashkuara, por tani ai ka më shumë se SHBA-të, ka Bashkimin Evropian, ka Evropën, ka shumicën e botës që i mbështet ata.”- u tha Biden donatorëve gjatë një mbledhjeje fondesh.

“Ata kanë filluar ta humbin atë mbështetje nga bombardimet pa dallim që ndodhin në Gaza.” tha Biden.

Ai tha gjithashtu se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu duhet të ndryshojë qeverinë e tij të vijës së ashpër, e cila është kritikuar gjerësisht në skenën ndërkombëtare, veçanërisht nga shtetet arabe.

Më herët, Netanyahu pranoi se ai dhe SHBA kishin mendime të ndryshme për “ditën tjetër” në Gaza kur përfundimisht lufta të mbarojë.