Projektligji i Qeverisë, i proceduar përmes reagimeve të ministrave serbë, është paraparë të kalojë dy leximet në Kuvendin e Kosovës, me një procedurë të përshpejtuar, brenda pak ditësh, pavarësisht kundërshtimeve për qëllimet e, siç thanë ekspertët e fushës, shtetëzimit të Trepçës.
Qeveria tha se po synon që të krijojë një shoqëri aksionare me të cilën do të përfitojnë edhe vetë minatorët, duke e rimëkëmbur dhe përgatitur për treg.
Projektligji u procedua në Kuvend përmes kundërthënieve dhe ngjalli protestat në veriun e Kosovës, të minatorëve të komunitetit serb, që thanë se do të vazhdojnë të kërkojnë ndalimin e shqyrtimit të këtij ligji në Kuvend, me të cilin, siç thonë, “rrezikohet ekzistenca e tyre në Kosovë”.
Por, projektligji u pa ndryshe nga minatorët shqiptarë në pjesën jugore të qytetit, që thanë se e shohin si shpëtimin e vetëm për minierën e tyre. Madje, mos kalimi i ligjit mund të rikthejë grevat e tyre, kanë bërë me dije ata.
Qeveria e Kosovës dhe administratori i Trepçës, Agjencia Kosovare e Privatizimit, thanë se kombinati “është pasuri e Kosovës”, duke vlerësuar se Beogradi “është i vetëdijshëm se nuk ka asnjë hise në të”.
Por, të njëjtin pohim për pasurinë e shprehu edhe Beogradi zyrtar, që kërkoi “përfshirje të kësaj çështjeje, dhe siç thotë, të pasurisë së një numri ndërmarrjesh që i takojnë”, në bisedimet e Brukselit.
Opozita në Kosovë, ndërkaq, e cilësoi projektligjin si “të mangët”, sepse e përjashton “Kuvendin nga çdo rol në rastin e Trepçës”.
Megjithatë, vendimi për ta kaluar në Kuvend projektligjin për Trepçën erdhi pothuajse në përfundim të një afati të përcaktuar nga gjyqësori në Kosovë dhe përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për ta shpëtuar nga procedura e likuidimit një prej gjigantëve ekonomik në Kosovë, që ka trazuar opinionin publik që prej përfundimit të luftës dhe në veçanti që nga fillimi i vitit të kaluar.
Projektligji për Trepçën, që u parapa të shqyrtohej e plotësohej në janarin e vitit të kaluar, u tërhoq nga Qeveria e Kosovës, duke shkaktuar një valë të protestave të opozitës në rrugë që u shndërruan në përplasje me policinë e Kosovës, transmeton rel.
Ndërmjet shoqërisë aksionare me përfitim edhe të punëtorëve dhe përmes protestave në rrugë në veriun e Kosovës, projektligji për Trepçën do të diskutohet në Kuvend, ndërkohë që njohës të rrethanave dhe përfaqësues të një pjese të spektrit politik në vend shprehin rezervat e tyre se ai do të mund të kalojë pa krijuar fërkime të mëtejme.