Gjykata Kushtetuese dje e ka nxjerr Aktvendimin për papranueshmëri në rastin KO181/18.
Ky rast kishte të bënte me kërkesën e presidentit Thaçi, që në dritë të dispozitave kushtetuese të parapara me paragrafin 4 të nenit 92, si dhe paragrafin 4 të nenit 93, të Kushtetutës të përgjigjet në pyetjet (Pika 4 e Aktvendimit):
1. a duhet (Qeveria) t’i anulojë të gjitha vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës, për shfrytëzim, tek komunat, në mungesë të bazës ligjore; dhe
a duhet (Qeveria) t’i rishikojë të gjitha vendimet, që kanë të bëjnë me tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave dhe kthimin e tyre në pronësi të komunave dhe të respektoj procedurat sipas legjislacionit në fuqi për këtë çështje”.Duke marrë parasysh këtë kërkesë të presidentit Thaçi, Qeveria e Kosovës përmes vendimit nr. 05/76 të datës 21 nëntor 2018, kishte anuluar të gjitha vendimet e Qeverisë për kthimin e pronave shoqërore të AKP-së komunave të Kosovës për të cilat verifikohet se ka kontrata të shitjes, apo në të cilat ka masa të përkohshme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me AKP-në.
Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese nuk ka si të trajtojë kërkesën e parashtruesit në raport me këto vendime, duke qenë se të njëjtat tashmë janë të anuluara nga vetë Qeveria. (Pika 49 e Aktvendimit)
E ndodhur në këtë situatë, Gjykata Kushtetuese nuk është marrë fare me vendimet e Qeverisë, siç ceket edhe në pikën 77 të Aktvendimit: “Gjykata, megjithatë, në fund thekson se, përfundimet e nxjerra më lartë, nuk paragjykojnë në asnjë mënyrë nëse vendimet e Qeverisë të ngritura nga parashtruesi i kërkesës, janë apo jo në përputhje me Kushtetutën apo nëse ato kanë apo jo bazë ligjore”.
Në fund, Gjykata Kushtetuese vendos të deklarojë kërkesën e presidentit të papranueshme.
Për lexuesin jo jurist është një situatë e paqartë, por qëllimi i presidentit Thaçi që t’i anulojë të gjitha vendimet për bartjen e pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës për shfrytëzim tek komunat, në mungesë të bazës ligjore është arritur.
Qeveria e Kosovës, pas procedimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, vetë i ka anuluar të gjitha vendimet e saj joligjore.
















