Beteja e Zhegovcit, e përshkruar nga ushtari pjesëmarrës në betejë.

E publikuar: 15/04/2025 08:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Milaim Sylejmani

Zhegoc, 15 Prill, 1999
Me bashkëluftëtarin Afrim Nuhiu ndërrimin e morëm në ora 04:00 te pika e quajtur “te Kurdiovit”, që ndodhej nja 200m nën udhëkryqin nga “hanet e Zhegocit”. Këtë ndërrim e kishim kërkuar vullnetarisht dhe ne dy e mbanim çdo ditë. Pra prej 04:00-06:00.

Këtë ditë, roja paraprake që e mbajtën bashkëluftëtarët Asllan Asllani dhe Arben Ahmeti, nuk kishte vërejtur asnjë lëvizje të dyshimtë nga ana e armikut. Ndërsa ne, rreth orës 05:00 dëgjuam zhurmën e lëvizjes së makinerisë së rëndë të forcave armike, që bëhej në magjistralen Gjilan-Prishtinë. Fillimisht menduam se lëvizja bëhej në drejtim të Prishtinës.

Kur e pamë se makineria armike po bënte rrethimin tonë, me Afrimin u morëm vesh që ai të shkoj te “baza” të jep alarmin ushtarëve që flinin, e unë të shkoj dhe të pozicionohem te udhëkryqi “te Hanet”. Derisa mbërrita atje, përmes rrugës dytësore që ishte nëpër mal, nga f.sh. serb Parallovë në drejtim tonin numërova 20 tenka, autoblinda, praga e kamiona të mbushur me ushtar . Nuk e kisha parë fillimin, e as fundin e kolonës së kësaj makinerie vrastare.

Aty, te udhëkryqi prita bashkëluftëtarët dhe shpejtë u pozicionuam konform terrenit, njëri pas tjetrit, në distancë nga 3 a 4m në rrugicën nga udhëkryqi në drejtim të jug-lindjes, në drejtim të bazës ku ishim, dhe i pari në këtë rreshtim ishte Afrimi Nuhiu me pushko-mitrolezin e lehtë i ashtuquajtur 100-sh, për shkak të karikatorit që zinte 100 fishek, që ishte në formë të rrethit, e që ne i thoshim “tepsi” .

Afërsisht rreth orës 6:00 jemi sulmuar nga snajperistë serb, ku u plagos një djalë i ri që sapo na ish bashkangjitur, dhe më vonë kam kuptuar se ishe Besnik Shala që tani është në FSK. Ishte ky sulmi i parë në këtë pozicion, mbase pozicion i zbuluar edhe për shkak të lëvizjes që bëmë me Përparim Mujën, dhe një banorë të kësaj lagje me emrin Muhamed, në drejtim të Parallovës për të zbuluar pozicionin e saktë deri ku kishin mbërri forcat armike, meqë më nuk bënin lëvizje.

Pas këtij sulmi, dhe me propozim të bashkëluftëtarit Njazi Miftarit, i cili ishte dërguar nga Shtabi, që kishte sjellë kodet e komunikimit për radiolidhje, kemi lëvizur në drejtim të perëndimit, deri te rruga që shpije nga udhëkryqi “te hanet” për në Zhegocin e Epërm.

Propozimi i Njaziut ishte jetik, dhe qëndrimi i mëtejmë në ato pozicione, do të ishte fatal për 17 ushtarët sa ishim. Këto pozicione edhe sot mund të shikohen!

Sapo jemi pozicionuar për bri rrugës, në shtëpitë që ndodheshin në veriperëndim nga ne, rreth rrugës kryesore për Zhegoc të ulët ( dy shtëpi dy katëshe) kemi vërejtur zhvillimin e vijës së sulmit që bëhej nga njësitë elite serbe, dhe bëhej në mënyrë shumë profesionale (pikërisht ashtu si ne i kishim mësuar nga Refik Shala gjatë ushtrime përgatitore në Llap) , bëhej duke shfrytëzuar kalimin për rreth c`do objekt të mundshëm, në një vijë të përdredhur e që vinin nga drejtimi i Parallovës.
Në anën tjetër në të njëjtën rrugë, fill te kthesa e parë nga poshtë, pamë një xhip të bardhë që vinte mbështetje për ne (ishte vetura Suzuki Vitara pronë e bashkëluftëtarit Ahmet Aliu, e që në këtë rrëfim do ta quaj në zhargon ”xhip”)

Ne u trishtuam për rrezikun që ndodhej, dhe për pamundësinë absolute për ti njoftuar.
Përparim Muja është ngritë në këmbë, ka dale nga pozicioni në rrugë dhe ka ngritur duart lart duke i kryqëzuar si shenjë që vetura të ndalet. Ishte e pamundur që Përparimi të vërehej prej ushtarëve që ishin në xhip, pasi që ne ishim në një distancë prej rreth 45 shkallë nga drejtimi i lëvizjes së automjetit. I kam bërtit Përparimit ulu dhe kthehu!
Pastaj pa një pa dy kemi shtënë me rafalë të shkurtër në drejtim të armikut, në terasën e njërës shtëpi, ku doli një ushtar serb për shkak të zhurmës së veturës, e cila lëvizte me një shpejtësi maksimale ,sa lejonin kushtet e rrugës. Ne hapëm zjarr me të vetmin qëllim që xhipi të ndalej, pasi u gjend në mes dy zjarreve. Praktikisht nga ana jugore serbët i kishim në afërsi, ku dëgjonim bisedat e tyre, dhe hapja e zjarrit ishte shumë e rrezikshme për shkak të zbulimit të vendndodhjes.
Menjëherë pasojë kundërsulmi i armikut me breshëri plumbash që krasitnin degët e njoma, që akoma nuk kishin dushk, e që binin mbi trupat tanë. Për shumicën prej neve, fishkëllimat e plumbave mbi koka tona, dhe muzikalitetit i tyre ishte i njohur nga betejat në Llap, dhe nuk shkaktoj panik që nuk mund të menaxhoj. Në këto situata gjakftohtësia është jetike!

Për habinë tonë, xhipi nuk u ndal…kemi dëgjuar krisma të shumta, dhe nuk e dija çka ka ndodhë! Kam bërë zhagas disa metra në drejtim të udhëkryqit, për të kuptuar çka ka ndodhur me xhipin, dhe më ka kthyer thirrja e bashkëluftëtarit Arben Ahmetit: “Bashkim, kthehu se po vijnë ushtaret prej xhipit”( “bashkim” ishte pseudonimi im). U ktheva. Në fakt Arbeni kishte parë dy ushtar tjerë që kishin mbetur mbrapa gjatë tërheqjes!
Zhagas dhe duke u rrotulluar jemi tërhequr te do varreza që gjenden aty. Tani u gjendëm në rrethim të plotë. Vendosëm që të bëjmë një rreth shpinë-shpinë në një distancë 20 a 30 m nga njëri tjetri, dhe të presim natën për t’u tërhequr. Në rast se zbulohemi, të veprohet si anija e përmbysur: kush çka të mundet e si të mundet. Unë kam groposur ditarin e luftës dhe disa foto të bëra në Llap, e Njazi Miftari kodet e ndërlidhjes, të cilat më vonë, për shkak të ndryshimit të rrethanave i ka marrë. Besoj që janë të dhëna të mjaftueshme për situatën që u gjendem, për faktin se këto dokumente nuk donim të bien në dorë të armikut, edhe nëse ne vritemi!

Në mendjen time ora do të duhej të ishte kah 16-17h. Kam pyetur për sahat, dhe sa është ora? përgjigja ishte 09:10. Ishte shumë dëshpëruese, nuk bëhej llaf të pritej mbrëmja!!!

Këtu ka mbërri ushtari i plagosur Afrim Myrta që kishte qenë në xhip dhe na ka informuar për rënien e Pajës- Pajazit Ahmetit. (kjo është ajo çka unë kam parë dhe përjetuar, ani pse shokët kanë rrëfimet dalluese, që nuk ndryshojnë esencën). Afrimi kishte rreth 10 plagë, ishte bërë shoshë, dhe ishte skajshmërish i stresuar, njëherë tha më lini këtu, veç një bombë më jepni, pas disa minutave, thoshte: ”aman mos më lini”! ka nga bashkëluftëtarët që e ka dëgjuar vetëm njërën thirrje, e unë i kam dëgjuar të dy thirrjet. Po e përmendi si rast, pasi që dikush mund të dëgjoj rrëfimin e ndonjë luftëtari që tregon vetëm njërën thirrje, e dikush tjetrën, kështu që krijohet konfuzion ndaj së vërtetës. Njëjtë edhe rrëfimi im, mund të ketë nuanca dalluese nga bashkëluftëtaret.

Nëse dëgjohet ky rrëfim me vëmendje , shihet se pavarësisht rrezikut jetë a vdekje, ne kemi bërë tri përpjekje për t`ju ndalë ndihmë bashkëluftëtareve që ishin në xhip, pra Pajës dhe Afrimit.

1. Dalje në rrugë e Përparim Mujës, për t`i sinjalizuar,

2. Hapja zjarr nga ana jonë në drejtim të armikut,

3. Nisja zhagas në drejtim të udhëkryqit.
Pastaj kemi filluar të tërhiqemi me gjithë të plagosurin që plagët ja lidhi Përparim Muja, me asistimin e Arben Ahmetit. Gjithnjë për të sqaruar nivelin e rrezikut, Arbeni i shtrirë në shpinë nxirrte fashat nga çanta, e Përparimi ulur në gjunjë ja lidhte plagët!

I plagosuri ishte tip sportiv dhe nga dy veta i ndihmonim për ecjen që bënte me një këmbë!
Kështu rreth lumit kemi vazhduar deri te shkolla e Zhegocit. Në këtë grup kemi qenë: Afrim Nuhiu, Përparim Muja, Gafurr Jakupi, Nazim Kajtazi, Ahmet Daku, Njazi Miftari, Asllan Asllani, Arben Ahmeti, Sami Halimi, Ismet Ajvazi, Naser Hajdari, Bujar Nevzadi, Agim Mehmeti, Lulzim Salihi, Metushi Bajrami, Heset Zeqiri dhe unë. (nuk jam i sigurt a ka qenë Selver Kqiku)

Aty me urdhër të Komandatit të Brigadës 171 Salih Mustafa i kam pozicionuar në kodrën përballë shkollës bashkëluftëtarët: Asllan Asllani, Lulzim Salihu, unë nga ana lindore, dhe Rrustem Avdiu, Agim Mehmeti e Sami Halimi nga ana perëndimore e kësaj pike. Të tjerë bashkëluftëtar kanë qenë te rruga që shpije për në lagjen Alibabë, dhe mbi shkollë. Aty kemi qëndruar derisa ka ardhur e na ka thirrë vet Komandanti i Brigadës Sali Mustafa, pasi që ishte tërhequr popullata civile. Këtu duke menduar se po e thërras një ushtar tonin ( kemi menduar se është Njazi Miftari që atë ditë kishte vesh një jelek me ngjyra kamuflazhi, ne tjerët kemi qenë pa uniforma për shkaqe taktike), i cili qëndronte i shtrirë dhe i mbështetur për stom të rrugës, kam dalë nga pozicioni, kam bërë me dorë dhe i kam thënë: ”hajde”, përgjigja ishte:” sad çekaj” (prit tash), ishte ky pararoja/ vëzhguesi armik, që e kishte ditë se autoblinda e tyre ishte afër, dhe mendonte se po e provokoj!
Shokët që ishin pozicionuar në pikën mbi shkollë i kam thirrë me shprehjen “ shifra 25 sipas llapit” që ishte kod për tërheqje nga pozicioni.

Buzë mbrëmjes kemi mbërritur në kodrën e madhe mbi shtëpinë ku ishte Shtabi i Zonës.
Sa e si ishte niveli i rrezikut në betejën e Zhegocit citoj bashkëluftëtarin Përparim Muja të thënë disa vite pas luftës: “po të plagosesha në Zhegoc, të më linin shokët, e të më zinin gjallë armiqtë, të më bënin të gjitha torturat e mundshme, dhe të mbijetoja, shokëve hallall do të ua bëja”!!!

E dyta: bashkëluftëtari Nazim Kajtazi , i cili ka marrë pjesë edhe në betejën e Zhegocit, edhe në betejën e Marecit, në pyetjen time ku e ke pasë më rrezik, përgjigjet: “pavarësisht zgjatjes dhe vështirësive në Marec, rreziku më i madhe ka qenë në Zhegoc”. Në këtë çështje bashkëluftëtarët tjerë ndajnë mendime të ndryshme.

E treta, nga tërë grupi që kemi qenë në ZOLL, pavarësisht pikave ku ishim, si te “tabet e Llapashticës, në Bradash, “Te Qukolltë” Obranqë e pika tjera, pavarësisht njësive të minahedhësve, vëzhguesëve e topxhinjëve, është mendim unanim se rreziku, dhe ashpërsia e luftime ka qenë më e lartë në betejën e Zhegocit se sa në c`do betejë në Llap ku kemi marrë pjesë. A nuk mjafton fakti, se në nisjen e luftimeve më shumë armiqtë kishin makineri, se sa ne ushtar që ishim në atë pikë?!
Ne që ishim ” më afër vdekjes” të gjithë shpëtuam, e ata që më shumë i deshi e i nderoi Zoti Madh i mori. Shpresojmë dhe lutemi që t’i shpërblej me Xhennet.

Lavdi dëshmorëve Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Tefik Zymberi, Hanushmshahe Abdullahu, Shahin Baftiu, Sahit Baftiu, Kastriot Bafiu, Njazi Osmani dhe të gjithë dëshmorëve të Shypnisë!
Tregimi i kësaj Beteje nuk mund të quhet i kompletuar, pa rrëfimin e secilit ushtar. Unë këtu shkurtimisht paraqita vetëm një pjesë timen për pikën “te Kurdiovit”. Pra nuk kam treguar as për zhvillimet pas rigrupimit te shkolla, as te mali në anën jugore të Shtabit kur u ndodhëm në pozitë drejt për drejt me autoblindën, fati jonë që fokusin autoblinda e kishte te Shtabi, e as për “pikat” tjera, dhe as për udhëtimin Zhegoc-Sllatinë e Epërme, të bërë natën e 15-të, ditën e 16-të dhe natën e 17-të Prillit `99 . Gjatë kësaj Beteje në Zhegoc nga Vitia kemi qenë luftëtarët: Abdyl Bajrami, Hekrem Qerimi, Florim Ramaj, dëshmori Naser Ramaj, Gyner Kamberi, Kerim Ferati, Liridon Sadiku, nga Zllatari kanë qenë Elez Sallahu me mbesën Elhame Sllahu-motër medicinale, Isa Bajrami etj. Në Zhegoc, por jo në betejë, për shkak detyrave tjera, kanë qenë edhe Sejdi Ahmeti nga Dardania e Ferzajit dhe Enver Sallahu nga Zllatari.

Kërkoj falje nëse kam harruar ndonjë ushtar të pikave ku unë u gjenda, ndërsa ushtarët tjerë pjesëmarrës në Betejën e Zhegovcit janë të shumtë dhe sigurisht do të përmenden në rrëfimet që ata ose bashkëluftëtaret tjerë do t`i bëjnë!

Për fund një mesazh i nxjerrë, dhe i dëshmuar nga përvoja, që mund të shërbej për ballafaqimet eventuale me armikun:
“vdekja nuk vije pse shkon në luftë, dhe nuk i shpëtohet vdekjes nëse qëndron në shtëpi”
15 prilli 1999 ka qenë dita më e gjatë në jetën time.

Milaim Sylejmani,

Veteran i UCK, ish shef i Operativës, brig. 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”
,pjesëmarrës në Betejën e Zhegovcit