Beteja e Kosovës dhe Gazimestani si vend i luftëtarëve veteranë osman

E publikuar: 05/05/2017 21:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkruan: Blerim N. Krasniqi, politolog

Propaganda si mjet për të bindur individin dhe popujt për qëllimin e atyre që dëshirojnë të qëndrojnë apo të arrijnë në pushtet, zakonisht përdor historinë si referencë për të ngritur figura dhe ngjarje në nivelin e krenarisë kombëtare.
Në rastin e Betejës së Kosovës, shihet qartë se është përdorur propagandë nga të gjitha palët e përfshira në këtë betejë, andaj edhe më ka nxitur që të analizojë dhe të gjej edhe pjesën tjetër të medaljes – atë të mundshmen dhe njerëzoren.

I.
Perandori Bizantin John VI Kantakouzenos (1347 deri 1354), për tu mbrojtur nga kundërshtarët e tij brenda perandorisë së tij, kërkoi mbështetjen ushtarake Osman Beut të Bursës, të cilit pastaj ia dha për grua vajzën e tij dhe kështjellën Çimpe tek Gallipoli në vitin 1353.
Kjo kështjellë në këtë copë të vogël toke, i hapi rrugës ushtrisë osmane për pushtime të reja në Ballkan (http://www.tarihsinifi.com/4054/balkanlardaki-fetihler).

Shtetet dhe popujt e Ballkanit nuk kërkuan ndonjë mbështetje ushtarake nga ushtria osmane, por marshuta e ushtrisë osmane, sapo kishte filluar dhe ishte gati për pushtimin e tokave të reja. Kjo ishte një mundësi e përsosur për të rritur territorin e tyre.
Në vitin 1363 e morën Edrenen dhe e shpallën kryeqytet të Shtetit Osman, pastaj vazhduan tutje edhe me një fitore të radhës në Betejën e Maricës 1371.
Vetëbesimi i ushtrisë osmane u rrit shumë dhe ata gjithsesi donin të zgjeronin territorin e shtetit të tyre, duke u drejtuar kah shteti i Princ Llazarit, por u thyen tek dy beteja: Beteja e lumit Dubravnicë tek Petrusha afër Paraqinit më 25 dhjetor 1381 dhe Betaja e Ploçnikut/Ploşnik/Pločnik afër Toplicës tek Prokupla më 1386.
Ndërsa në historiografinë serbe dhe atë boshnjake përmendet edhe një betejë e fituar kundër osmanëve, Beteja e Bileqes/Bileće: 1388, por ky shënim në asnjë burim turk nuk konfirmohet. Nëse e bëjmë një krahasim të shënimeve për marshutën dhe depërtimin ushtrisë osmane në territorin boshnjak, del se në vitin 1388 ushtria osmane ende nuk i kishte pushtuar dhe kaluar territoret e shteteve të Princit Lazar (Serbia e sotit) dhe atij të Vuk Brankoviqit (Kosova e sotit).
Sidoqoftë, këto dy humbje të ushtrisë osmane ia imponuan asaj tërheqjen tek një vend më të sigurt. Ata u kthyen tek territori i vazalit të tyre, tek Shteti i Konstatin Dragashit.

Sipas historiografëve serb dhe turq, Shkupi ishte pjesë e shtetit të Vuk Brankoviqit deri në vitin 1392.

II.
Beteja e Parë e Kosovës sipas të gjitha burimeve sa i përket datës kur është zhvilluar duket e besueshme, pra 28 Qershori i vitit 1389.
Por ajo që duket e dyshimtë dhe ka shumë mjegull dhe pa asnjë detaj: është vendbeteja.
Sipas historiografisë beteja e Kosovës thuhet se ka ndodh në Gazimestan, një vend mbi Prishtinë, por: duke analizuar shënimet për rrjedhën e ngjarjeve dhe betejave sipas historiografisë turke dhe asaj serbe, pastaj shtrirjen e territoreve të shteteve ballkanike dhe duke u bazuar mbi thënien se: asgjë nuk dihet për betejën e Kosovës (https://sh.wikipedia.org/wiki/Bitka_na_Kosovu), del se Beteja e Kosovës është zhvilluar në një vend tjetër, e jo në Gazimestan.

Ky pohim më shtyn të marr parasysh disa elemente rrethanore, faktike dhe ushtarake.
Gjatë viteve 1380-1388, ushtria osmane pësoi tri humbje nga forcat serbe dhe kjo ka qenë humbje dhe dëshpërim i madh për dikë që ka pretendime të mëdha. Por njëkohësisht kjo edhe krijon dhe nxit motivin e mbijetesës për ushtarët dhe udhëheqësit e saj.
Konstatin Dragashi ishte vazal i ushtrisë osmane, por njëkohësisht edhe vend i sigurt për rikuperuar dëmet nga betejat e humbura, ku edhe ushtria osmane u përqendrua në territorin e këtij shteti, i cili shtrihej gati në vijën kufitare të Kosovës së sotit. Shkupi ishte jashtë këtij shteti, që mund të konstatojmë se në Kosovë nuk kanë pasur mundësinë të hyjnë nëpër Grykën e Kaçanikut, por njëkohësisht ka qenë edhe ndërmarrje shumë e rrezikshme për të futur 27.000 ushtarë me të gjitha pajisjet përcjellëse të kohës.
Pas këtyre fakteve, e vetmja hyrje e mundshme për në Kosovë mbetet territori i Preshevës dhe Bujanocit, të cilat ishin brenda shtetit të Konstatin Dragashit. Ky territor të ofron mundësinë për luftëra partizane, pasi ka shumë male dhe gryka, ku mund të ndalet çdo pushtues me pak njerëz dhe me mjete jo të sofistikuara të kohës.
Nëse e marrim parasysh numrin e ushtarëve të palëve në konflikt, forcat e koalicionit ballkanik besoj se e kanë përdorur këtë strategji ushtarake, pasi një betejë në fushë të hapur do të ishte vetëvrasje.
Nëse analizojmë ato çka na servohet nga propaganda e kësaj historie, është e pa kuptimtë ndërrimi i destinacionit nga synimi drejt tokave të reja në drejtim të Nishit ku është më i lehtë kalimi nëpër Luginën e Moravës, se sa kthimi në drejtim të Prishtinës, duke kaluar gryka shumë të rrezikshme.
Në aspektin ushtarak, luftërat në male e gryka janë më të favorshme se sa ato në fusha, të cilën besoj se e kanë shfrytëzuar këtë rrethanë forcat vendase.

Nëse ushtria osmane ka pasur humbje në betejat që u përmendën më herët dhe u kthyen në territorin e Konstatin Dragashit për ta marr veten, që i bie të jetë Presheva dhe Bujanoci, atëherë forcat e koalicionit ballkanik kanë bërë sulm të befasishëm dhe është zhvilluar lufta që sot njihet si Beteja e Kosovës.

III.
Si çdo shkronjë që është vetëm një shenjë, ashtu edhe emrat janë tregues i ndonjë veprimi të përsëritshëm, por mund të jenë edhe përshkrues i gjendjes kur ndodh emërtimi.
Gazimestan – sipas historiografisë serbe është fushëbeteja ku ka ndodh Lufta e Parë e Kosovës më 1389, të cilën e fituan forcat e ushtrisë Osmane. Ndërsa monumenti i ditëve të sotit është ndërtuar në vitin 1953.
Emërtimi, i cili në gjuhën serbe nuk do të thotë asgjë, ndërsa në gjuhën turke fjala GAZI dmth. veteran luftëtar fitues, dhe prapashtesa MESTAN dmth. i çrregullt. Si tërësi do të thotë Vendi i Luftëtarëve të Çrregullt.
Në këtë rast vendfestim i përvjetshëm duhej të ishte për turqit, pasi aty ata fituan dhe e emërtuan në nderim të atyre që luftuan.
Gazimestani duhet të jetë vendkujtim i viktimave të luftës dhe vend ku jepen mesazhe paqeje, në mënyrë që mos të përsëriten betejat që sjellin vetëm humbje njerëzish atyre që e festojnë.