Besova dhe besoj te secili anëtar i PDK’së që s’është helmuar

E publikuar: 26/12/2017 23:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Jakup Krasniqi

PO, KAM BESUAR

Po, kam besuar në drejtësinë për të cilën kanë luftuar gjenerata të tëra kombesh e vendesh të ndryshme. Kam besuar në drejtësinë që, fundja, është aspiratë e njerëzimit për një drejtësi shoqërore. Edhe kombi ynë, sikur shumë kombe të tjera të përparuara, ka luftuar gjatë, por edhe është sakrifikuar shumë për liri, drejtësi e barazi.
Kam besim të thellë në drejtësinë, e cila mes njerëzve vendos jo vetëm vëllazëri, ekuilibër, por edhe mundësi të barabarta. Kam besuar në idealet njerëzore, për lirinë individuale e kolektive në mes njerëzve, në fuqinë dhe drej-tësinë ku ligji vlen për të gjithë, si për të fortin, ashtu dhe për atë më të dobëtin. Besoj, po, thellësisht, në drejtësinë hyjnore, e cila konfirmon se njerëzit nga Zoti dhe për Zotin lindin të barabartë, ndërsa, sundimtarët njerëzit i bëjnë lajkatarë, servilë, të përulur e të padinjitet dhe jo rrallëherë edhe “mish për top”.

Kam besuar dhe besoj në ndershmërinë, qëllimet dhe parimet në të cilat betohen shokët besnikë të një ideali për komb, fe e atdhe! Sikundër kam besuar pareshtur në idealet e përbashkëta të korifenjve të lirisë, të bashkimit kombëtar dhe të demokracisë, po aq sa kam besuar ndershmërisht në idealin e njerëzve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe në atë që e quaj nder dhe privilegj – rreshtimin në UÇK-në e Legjendarit Adem Jashari.

Pikërisht besimi tek Adem Jashari dhe Ushtria e Tij Çlirimtare, më bëri të deponoj gjithë jetën time e të familjes sime, sepse për jetët e të tjerëve nuk kisha as kam të drejtë të ndërhyj. Po, për këtë jam shumë krenar. Unë besova, sikundër guxova dhe ngadhënjeva me idealet çlirimtare, gjithnjë me besimin e patundur në mendje e në zemër se ia vlente çdo flijim për Atdheun, për lirinë, për drejtësinë, për zhvillimin dhe shtetin e së drejtës, për demokracinë që ligjëson lirinë.Besova tek secili ushtar si në luftë, po ashtu edhe pas lufte.

Por me këtë rast s’mund të them se nuk gabova, për faktin e thjeshtë se besova me besnikëri, edhe pse populli thotë: “besnik bëhu e besë mos zë”. Besova dhe vazhdoj të besoj tek secili anëtar e simpa-tizant i PDK-së, që nuk është helmuar me babëzinë e grabitjes së pasurisë kombëtare, që nuk ka shkelur në idealet çlirimtare, që nuk ka përbuzur vlerat e fjalës së dhënë.

Image may contain: 1 person, text