Besnik Tahiri: Ne duhet të punojmë që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive

E publikuar: 06/12/2015 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Besnik Tahiri, ka shkruar se disa nene të Asociacionit të Komunave Serbe janë në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ka thënë se secili duhet të punojë që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe as rol të nivelit të dytë qeverisës.
Lexojeni të plotë reagimin e Tahirit

Jemi disa javë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vendim ky që pritet të interpretojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Jam i bindur se çfarëdo leximi i paanshëm i marrëveshjes, do të tregojë që së paku disa nene janë të paqarta dhe kanë mundësi të interpretimit të dyfishtë e pra si të tillë janë anti-kushtetues. Një situatë potencialisht e tillë nuk është fundi por vetëm fillimi i riparimit të një dokumenti që është jetik për funksionalitetin e vendit tonë.

Ne duhet të punojmë që Asociacioni në secilën situatë të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe në asnjë formë rol të nivelit të dytë të qeverisjes.

Shpresoj që ky vendim do të arrijë dy qëllime: 1. Të evitojë një institucion të dëmshëm për Republikën dhe 2. Të kthejë besimin e qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese, institucion ky shumë me rëndësi për vendin!

Pra, siç thotë populli ‘me ni t’rame dy t’vrame’.