Ndryshe nga deklarata e ministrit Besnik Bislimi në Facebook për papunësinë, korniza e shpenzimeve që e ka hartuar ministria që ai e drejton, paralajmëron gjendje të rënduar si pasojë e humbjes së shumë vendeve të punës në kohë të pandemisë.
Në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2021-2023, e publikuar nga Ministria e Financave, që mban datën e hartimit prill 2020, ndër të tjera përfshin edhe objektivat për punësim.
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2021-2023 paraqet dokumentin mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2021.
Ndryshe nga deklarata e ministrit të Financave në detyrë, Besnik Bislimit, për punësimin, kjo kornizë parasheh që të rëndohet gjendja në Kosovë, për shkak të humbjes së vendeve të punës.
“Punësimi në sektorin privat pritet të përkeqësohet si rezultat i humbjes së vendeve të punës, veçanërisht në ata sektorë që janë të ndikuar direkt nga kjo krizë (sektori i shërbimeve; i tregtisë me pakicë, transportit etj)”, thuhet në KASH.
Qëllimi kryesor i këtij dokument, që hartohet nga MF, është që të ofrojë një analizë, e cila reflekton mjedisin makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë.
Kur Bislimi sqaronte statistikat pas regjistrimeve për Pakon Emergjente, të hartuar nga Qeveria, për ndihmë të biznesëve për shkak të pandemisë, tha se ato tregojnë se si ka rënë papunësia si kurrë më parë në Kosovë.
“Ndryshimi mes të regjistruarve të rinj dhe atyre që kanë humbur vendin e punës bënë që numri i të papunëve brenda vetëm një muaji të ulet për 6.6% që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit. Kjo, nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare (ende e nënvlerësuar) do të binte në nivelin e 24.1%”, kishte shkruar ministri Bisilimi.
Deklarata e Bislimit nxiti reagime të shumta javën e kaluar, me shumicën e të cilave merrej personalisht ministri në profilin e tij në Facebook.
Me deklaratën e Bislimit u ironizua aq sa të thuhej se ai meritonte çmimin Nobel për Ekonomi, pasi po fliste për ulje të papunësisë, kur mediat botërore raportonin për vendet të fuqishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballeshin me miliona vende të humbura të punës.
Kur ai iu kundërpërgjigj kritikave të ish-kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerit dhe drejtorit të KIPRED’it, Lulzim Pecit, tha se deklarata e tij për papunësinë ishte kuptuar gabimisht.
Ai ndau një fjali të tij për të sqaruar se nuk nënkuptonte se ka rënë papunësia në kohë të pandemisë, por po e mendonte formalizimin e punësimëve që, sipas tij, po bëhet si rezultat i Pakos Emergjente.
“Kjo nuk pretendon që papunësia në Kosovë është zvogëluar falë pandemisë, larg qoftë. Do të ishte tmerr sikur dikush me shkollim elementar të mendonte ashtu, siç e paskeni menduar Ju. Kjo fjali bashkë me pjesën tjetër të raportimit të statistikave nënkupton që situata e krijuar si rrjedhojë e pandemisë COVID 19, dhe mënyra e dizajnimit të pakos emergjente, kanë krijuar terrenin e përshtatshëm për formalizim të atyre që me vite e kanë konsideruar të levërdishme (në masë të madhe falë politikave, pjesë e të cilave keni qenë edhe Ju) të operojnë jashtë kornizave ligjore. Zotëri Peci, e me siguri as edhe të tjerët as nuk duhet të frikohen e as të brengosen nga formalizimi i ekonomisë”, thuhej në reagimin e ministrit të Financave.
Në shkrimin e tij të parë për cështjën e papunësisë, Bislimi pati shkruar se nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%, sa ka arritur tash sipas tij.
Partia Socialdemokrate në fund të javës së shkuar zhvilloi një aktivitet, para Qeverisë, që bazë kishte deklaratën e ministrit të Qeverisë Kurti. Sipas kësaj partie, çmimi Nobel për Ekonomi tash duhet të mbajë emrin “Besnik Bislimi”. /Express/