Ahmet Dursun
Çfarë është besimi? A është vlerë? A është një pengesë për t’u shkuar pyetjeve deri në fund? Lind për t’u mbrojtur prej frikës, apo na ndihmon për ta mundur çdo frikë?
Besimi është veçse një dritë e imagjinuar në fundin e një tuneli të errët, apo është më racional se çdo sistem, ideologji apo doktrinë e shpikur prej dorës së njeriut që sot e përqafojmë?! Çdo qenie humane brenda saj mbart besim. Që prej ditës së parë të lindjes, përkatësinë dhe përkujdesjen prindërore e përkthejmë si dashuri dhe me besim të plotë përpiqemi të ndërtojmë jetën tonë mbi këto themele të mrekullueshme…
Kemi besim se zotërojmë aftësi mendore dhe jemi aq të bindur për këtë. Jemi aq të bindur sa ia kemi mbushur mendjen vetes se shpeshherë jemi të pakrahasueshëm me të tjerë…Kemi besim te shpirti ynë. Madhështinë e tij as që e shtrojmë në diskutim, aftësia jonë e shikimit na duket shumë e shkurtër, ndërsa e mendojmë për shpirtin tonë të pafund…
Këto tri forma besimi i zotëron çdo njeri në brendësinë e tij. Mirëpo, ndërsa jemi kaq të sigurt te besimi ynë, te besimi i tjetrit shpesh kemi dyshime. Dashurinë e tij e shohim të deformuar, mendjen e tij të cunguar, shpirtin e tij të kufizuar…atëherë ç’është kjo?! Çfarë jemi duke bërë?! Madje nuk ndalemi këtu, por shpesh këto dyshime ndaj një individi i shumëzojmë. Kolektivizohemi dhe ngremë dyshime te besimi i një shoqërie, një kombi, një gjinie, një race. Shpikim e rishpikim sisteme për ta legjitimuar supremacinë tonë e për t’i mposhtur ata.
Jemi të bindur se vetëm nëse përdorim çdo mjet ndaj tyre, besimi ynë nuk do të cenohet, do të evidentohet, do të lartësohet. A është e mundur të kapërcejmë mbi këto paragjykime? Mendoj se e kemi të mundur. Jo të lehtë, por e kemi të mundur. E kemi të mundur nëse bindemi se Vatikani është institucioni më i vjetër dhe i pandërprerë i historisë sonë, është kujtesa më e vyer e njerëzimit, që qëndron solid dhe fal besimit solidarizohet me çdo qenie njerëzore duke ia vlerësuar pafundësisht besimin e tij…Mundemi vetëm nëse marrim shembull atë.
Sundimet totalitare apo diktatoriale besimin e kanë trajtuar madje, deri në dimensione monstruoze, si një ndjesi abstrakte. Slogani i tyre edhe sot vazhdon të jetë: “nuk dua të besoj, dua të di…”. Pikërisht Vatikani ia ka dalë t’i shembë një nga një këto strofulla të së keqes duke e racionalizuar për çdo nivel të menduarit, se njohja e natyrës është sfida e njeriut dhe kjo bëhet veçse me dije, e jo me instinkte kafshërore të indoktrinuara të një regjimi të së keqes. Pikërisht atë që Zoti na e kërkon me ngulm në çdo libër të shenjtë: “mësoni sa më shumë, që të dini sa më shumë. Përpjekja juaj për dije është lutja më e bukur që mund të më bëni, madje mundohuni të më sfidoni me dijen tuaj!”.
Cila ideologji fton sot kaq hapur për sfidë apo garë? Komunizmi, fashizmi, apo ajo që na pëlqen ta quajmë demokraci?! Asnjëra, asnjëherë! Sot në këto çaste në Irak dhe në Siri, besimi islam ka pësuar deformimin më kulmor të 1400 viteve të tij…Në librin e shenjtë islam, pra në Kuran, Shën Maria përmendet plot 27 herë si figura më e shenjtë e gruas nga fillimi deri në fund të njerëzimit. Shën Maria, trajtohet si modeli politik, shoqëror e pse jo revolucionar për çdo grua, kudo që e kërkon emrin e saj të gdhendur në pllakat e arta…
Ndërsa gruaja myslimane në shumë vende të botës është zhytur në terr dhe kjo veçse për shkak të fshehjes së qëllimshme të figurës së Shën Marisë, prej atyre që me ligësinë e tyre të pashembullt pretendojnë se e përfaqësojnë besimin islam. Papa Françesku, ndryshe prej shumë vendeve dhe liderëve botërorë, po na fton t’i bashkëngjitemi një prej përpjekjeve më të vështira.
Pikërisht grave në këtë rajon e jo vetëm, t’ia kthejmë besimin e rrëmbyer djallëzisht dhe me dashuri, me mend e me shpirt të qëndrojmë të bashkuar që asnjë grua mos të zgjohet e lemerisur prej ëndrrës sikur po i kryqëzohet fëmija…Nëse vërtet jemi të bindur te besimi ynë, atë duhet ta dëshmojmë sot në një mënyrë sa më të prekshme, duke besuar në një vlerë të përbashkët, që përbën më shumë se gjysmën e njerëzimit sot. Kjo vlerë është veçse besimi që duhet të kemi te çdo grua, kudo! Besimi nuk është thjesht një ndjesi abstrakte, është racionale! Aq sa është dashuria, mendja, shpirti. Besimi i vërtetë është edhe Shën Maria, besimi i vërtetë është çdo grua…
Besimi dhe gruaja
NGA KATEGORIA