Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë për mediat në Paris se propozimet e reja për Kosovën nuk mund të diskutohen derisa të zbatohen marrëveshjet tashmë të arritura në kuadër të dialogut në Bruksel.
Sipas saj, duhet zbatuar marrëveshja e Brukselit dhe duhet të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duke hedhur poshtë kështu pretendimin e presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, se propozimi franko-gjerman është pranuar nga palët.
“Prishtina duhet të fillojë themelimin e Asociacionit të Komunave (me shumicë, shën.red) Serbe, kjo është pikënisja mbi të gjitha. Së dyti, nëse marrëveshja nuk është zbatuar dhe Prishtina nuk i përmbush obligimet e saj nga marrëveshja e Brukselit, nuk e di se kush do të garantojë ndonjë marrëveshje”, ka theksuar Bërnabiqi, transmeton RTS.
Më e rëndësishmja, shtoi ajo, është që të punojmë në atë që është rënë dakord – “që Prishtina më në fund të fillojë themelimin e AKS-së dhe që serbët të kthehen në institucione, të kemi stabilitet dhe hapësirë shtesë për të diskutuar disa propozime të tjera dhe për të vazhduar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shkruan Klankosova.tv.
Gjatë vizitës së sotme në Shkup, duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Steinmeier tha se normalizimi sa më i shpejtë i tyre është në interesin e BE-së.
“… për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, tha presidenti gjerman. /Klankosova.tv