Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se Beogradi do të kërkojë siguri shtesë për serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës, pas përgjigjes negative nga KFOR’i për kthimin e një pjese të ushtrisë në Kosovë,
Bërnabiq ka thënë se KFOR’i ktheu përgjigje negative natën e krishtlindjeve ortodokse dhe menjëherë pas plagosjes së dy djemve serbë në Shtërpcë.
“Do të doja që populli serb në Kosovë të gëzojë të gjithë mbrojtjen dhe mbi të gjitha që familjet serbe të ndjehen të sigurta, të jetojnë, të studiojnë dhe të punojnë të sigurta. Por, për fat të keq, nuk është kështu dhe protesta e sotme e popullit serb në Kosovë e tregon këtë”, u tha Brnabiq gazetarëve në Dubai, ku ndodhet në një vizitë dyditore, ka raportuar kosovo-online.
Ajo ka thënë se Beogradi do të insistojë që të respektohet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.
Po ashtu ka kërkuar nga Kosova themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke pretenduar se Serbia ka marrë premtime që në janar do të nis jetësimi i tij.
“Kemi hyrë në vitin 2023 dhe pres që të ndodhë ajo që kanë premtuar partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në janar të fillojë formimi i Asociacionit. Ky është fokusi im për janarin dhe do të diskutohet në takimet e javës së ardhshme. Sigurisht që do të vazhdojmë të insistojmë në respektimin e Rezolutës 1244”, ka theksuar kryeministrja serbe.
Për më shumë ajo ka propaganduar se serbët në Kosovë janë të rrezikuar dhe sipas saj KFOR’i nuk po e tregon gjendjen reale në Kosovë. /Express