2 supergola për t’u rikonfirmuar si njeriu i momentit në futbollin australian. Besart Berisha vazhdon të shkëlqejë përtej Oqeanit. Sulmuesi shqiptar gjeti rrugën e rrjetës për të 4-t ndeshje radhazi mes kampionatit dhe kupës, takime në të cilat ka shënuar në total 6 gola. Me dy finalizimet e tij Berisha udhëhoqi Melbourne Victory drejt suksesit me shifrat 2-4 ndaj Sydney-it në transfertë. Skuadra e trajnerit Kevin Muscat, e cila vinte në këtë sfidë pas triumfit në Kupën e Australisë, e pa veten në disavantazh pas vetëm 5 minutash lojë kur Holosko kaloi në avantazh vendasit.
Megjithatë epërsia e Sydney-it zgjati shumë pak sepse në të 9-tën Berisha i shërbyer nga Murnane shmangu mjeshtërisht një mbrojtës kundërshtar dhe me një goditje potente nga distanca realizoi një gol shumë të bukur. Brosque kaloi sërish Sydney-in përpara në minutën e 20-të por në të 28-tën Finkler i coi shifrat në 2-2. Kur kishte kaluar gjysma e pjesës së dytë Barbarouses kaloi për herë të parë në këtë ndeshje Melbourne Victory në avantazh, ndërkohë për të vendosur në kasafortë suksesin e miqëve mendoi Berisha.
Në minutën e 92-të 30-vjecari nga Prishtina pas një aksioni personal realizoi një tjetër gol fantastik duke mbyllur llogaritë me Sydney-in. Me këto dy finalizime Berisha u ngjit në kuotën e 5 golave në krye të klasifikmit të golashënuesve të A League së bashku me uruguianin Fornaroli./ss/