Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, foli në lidhje me Gjykatën Speciale në Hagë dhe për procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në një intervistë për Euronews Albania ai theksoi se ka qenë kërkesa e Rusisë që të ketë një Gjykatë Speciale në Kosovë.
Kjo sipas tij erdhi pas një marrëveshje e fuqive të mëdha për të krijuar Gjykatën për krime në Siri.
Ai shtoi se asokohe askush nuk kishte hapësirë që të kundërshtonte krijimin e kësaj Gjykata pasi në një formë apo në një tjetër ajo do të krijohej.
“Procesi në Hagë ka qenë një konstelacion ndërkombëtar në periudhën e konfliktit në Siri dhe si një marrëveshje e fuqive të mëdha për të krijuar Gjykatën për Krime në Siri dhe kërkesën ruse që të ketë një Gjykatë në Kosovë. Ky ka qenë një rast me efekt shumë të rëndë për Kosovën. Asokohe Thaçi ka pasur hapësirë minimale që të mos krijojë këtë Gjykatë. Nëse nuk do të krijohej në këtë format do të formohej në formatin e OKB-së, por Gjykata do të krijohej patjetër”.
“Vetë protagonistët që kanë qenë në funksione të larta shtetërore e kanë aprovuar dhe votuar Gjykatën, tani jemi në një proces formal juridik të një institucioni që në kuptimin formal është Gjykatë e Kosovës. Të akuzuarit ngarkohen për vepra që kanë format juridik dhe ky format nuk ka të bëjë me LDK-në, por me raste konkrete, me individë. Gjykata e ka për detyrë që t’i sqarojë këto akuza”, tha Berisha.