Pas publikimit të lajmit për kërcënime të reja nga terroristët e ISIS-it ndaj vendeve të Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë, ish-kryeministri Sali Berisha ngre pikëpyetje nëse kryeministri Edi Rama do ta përdorë këtë si një mjet presioni ndaj krerëve të Bashkimit Evropian për të pranuar Shqipërinë në BE.
“Edi Rama që kur ka ardhur në pushtet ka zëvendësuar zbatimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, respektimin e institucioneve të pavarura, zgjedhjet e lira, pra zbatimin e kritereve të Kopenhagenit, me kërcënimin e rrezikut islamik që mund të paraqes Shqipëria për shkak të besimit mysliman të shumicës së shqiptarëve apo rrezikut të shndërrimit të Shqipërisë në hapësirë të madhe të islamit radikal”, shkruan Berisha në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
Ish-kryeministri shkon më tej duke thënë se Rama pritet t’i dërgojë këtë të enjte një letër krerëve të vendeve anëtare të BE-së ku pritet t’i paraqesë rrezikun që i kanoset vendit nga terroristët.
“Sot terroristët aventurierë të ISIS deklaruan se do pushtojnë Ballkanin. Pavarësisht se pretendimi i Ramës është hedhur poshtë disa herë nga shtetarë perëndimorë, Fuga i tij ka shpërndarë sot gjithë ditën në të gjitha mediat me porosi të Ramës kërcënimin e IS-IT për pushtimin e Ballkanit dhe mësohet se nesër Rama nis një letër drejt kryeministrave të vendeve anëtare të BE ME titull “Ose na pranoni ne BE ose na mori Kalifati”!”, ka shkruar Berisha në “Facebook”.
t