Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi u anulua mbledhja e dy qeverive shqiptare, që ishte paraparë të mbahet nesër në Gjakovë.
Berisha, thotë se kryeministri Edi Rama me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ka anuluar takimin me qeverinë e Kosovës.
“Rama me urdhër të Vuçiq anulon takimin me qeverinë e Kosovës. Në një akt antikombëtar prej argati të neveriteshëm të serbomadhit Vuçiq, i ngërthyer nga skandali McGonigal, Edi Rama i nxirë sterrë me një protagonizëm qesharak idiotesk, njoftoi anullimin e takimit të njoftuar prej kohësh midis dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës si fillimi i sanksioneve ndaj kësaj qeverie”, shkroi Berisha.
“Ky vendim për anulimin e mbledhjes si hakmarrje për hedhjen poshtë nga qeveria dhe forcat politike të Kosovës të draftit të tij të marrë në sirtaret e Beogradit, dëshmon së çfarë është i gatshëm të bëjë ky njeri për serbomadhin Vuçiq, por dhe lëkurën e tij, pasi është në hetim penal për aferën McGonigal, korruptimin e ish shefit të kundërinteligjencës së Neë York-ut në kohën kur ai ishte në detyrë. Shtoj këtu se, javë më parë dosja shqiptare e McGonigal me personazhë kryesorë Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij u bashkua për shkak të lidhjeve me dosjen ruse”.
Ai ka dënuar ndërhyrjen e Ramës në punët e brendshme të Kosovës.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e ndërhyrjes brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos harrojë se Edi Rama në këtë sherr më qeverinë e Kosovës mbron interesa personale dhe se, që nga ardhja e tij në pushtet ai është protagonist kryesor i projekteve të Serbisë së Madhe dhe ndarjes së Kosovës me Aleksandër Vuçiq”.
Berisha u bëri thirrje edhe autoriteteve të Kosovës që të shtensionohet situata në veri.
“Së fundi ju bëjë thirrje autoriteteve të Kosovës të bëjnë çdp përpjekje për ç’tensionimin e situatës dhe rikthinin në agjendën e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e saj si interesi më i mirë i Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon”.