Praktika e mediokërve politikanë për t’u paraqitur dhe qenë intelektualë të mëdhenj dhe e mediokërve intelektualë për të qenë politikanë të mëdhenj, është e keqja që vazhdon të ndodhë, shijen së së cilës e ndjejnë dhe e njohin më së miri të rinjtë e arsimuar.
Shkruan: Ibrahim Berisha
…
Intelektuali përkufizohet si njeri që mendon. Po, secili njeri mendon. Por, intelektuali e ka punë dhe profesion mendimin. Jeton, fiton, prej mendjes së tij. Po jo secili që e ka punë dhe profesion mendimin, është edhe intelektual. J. Le Goff shkroi një përkufizim që citohet shpesh, me të cilin ai intelektualin e përcakton jo vetëm si njeri që ka profesion mendimin, por ka edhe aftësinë për të përcjellur mendimet e tij tek të tjerët. Filozofi Zhan Pol Sartër ia pranon intelektualit, krahas mendimit profesional edhe angazhimin e tij kritik. Pra, krahas përkatësisë një profili kontribues shkencor apo krijues, ai mund të jetë edhe i angazhuar, po ky angazhim social, natyrisht nuk nënkupton agresionin publik jokritik, johuman.
Pastaj, ka përkufizime skematike që intelektualin e lidhin me shkallën, studimin, akademizmin. Prapë, do thënë se as ky përkufizim nuk përmbledh gjithë koloritin e mendimtarit. Ani tash kur titujt akademikë mund të gjenden në mintregje. Mund të jetë dikush me gradat më të larta akademike, por të mos di të mendojë kurrë me mendjen e tij, kuptohet krijuese, logjike, objektive, kritike, dhe e kundërta, një autodidakt, shkëlqen me mendime dhe ide origjinale, lucide.
…
Intelektuali disponon me fakte dhe ide, prandaj nuk është e rastit pse zuri vend edhe qasja se ai zotëron të drejtën mbi të vërtetën, qasje kjo jo rrallë e shndërruar në prodhues keqkuptimesh në marrëdhënien e tij me publikun dhe me standardin komunikues publik kulturor. Fjala vjen, servilizmi është një nga adutet e dobishme. Parimisht, jo pak gjoja fakte dhe të vërteta, janë të krijuar dhe nisur tutje nga pozita sistemore, sikur që krijohet dhe shpërndahet një virus nga një institut biologjik. Kanë infektuar dhe infektojnë edhe sot, ngjarje, realitete, duke i mbajtur sferën publike në orbitin e një epidemie vazhdimisht kërcënuese.
Në fund të fundit, agresiviteti i intelektualëve dhe i pesudointelektualëve, tashmë nga ai ideologjik në klientelik, buron nga kjo qasje adoptimi, se e vërteta qoftë ajo edhe krejtësisht e pavërtetë, është e padiskutueshme dhe të gjitha të vërtetat e tjera janë të pavlefshme. Fama, privilegjet, suksesi skematik, këto i arsyetojnë. Por, si thotë, Mario Vargas Llosa, ata që shohin suksesin si qëllim kryesor, përziejnë ambiciet me lavdinë. Duan lavdinë me çdo kusht dhe pa zgjedhur asnjë mjet arritjen e tij. Edhe, ata që e duan tepër shumë lavdinë lehtë nuk vdesin pa lavdi të përkohshme.
…
Të vërtetat e tilla të lavdishme janë ditore. Nuk janë as javore, mujore, aq më pak shekullore. Ngase ato krijohen në rrethana shërbimi, pragamatizmi, emocionaliteti, kryesisht me qëllim dhe atmosferë përfitimi, madje, duke përdorur edhe dhunë dhe forcë të imponueshme politike apo parapolitike. Duket kjo me mënyrën e komunikimit. Gjuha shtrembërohet, ndotet, varfërohet. Rigjiditeti nuk shtrihet vetëm në mbatjen e diskursit kërcënues, që është jo edhe aq shqetësues në një shoqëri parademokratike, porse ai shndërrohet në realpolitikë, në diskurs publik politik, me lumë kërcënimesh, përjashtues, fyes, sharës, shkatërrues, etiketues dhe ekskluziv. Madje, ata bëjnë që të krenohen me kontributin për të finalizuar konflikte dhe agresione publike.
Ky soj paraintelektuali jeton nga krizat, fshihet dhe bëhet pjesë e tyre, duke provuar të ruajë statusin e privilegjuar, pameritueshëm. E kuptueshme, është ai gjithmonë në anën e mosndryshimit. Prandaj edhe në Kosovë, në këtë sferë, krijuese, kulturore dhe shkencore, pothuajse, nuk ka asnjë reformë më shumë se 20 vjet. Konservatorët i kanë privilegjet gjerësisht. Ata flasin për reformën. Ata paraqiten si reformatorë. Po, nuk lejojnë reformën. Nuk duhet harruar, siç thotë ekonomisti kanadez, Xhon Kenet Galbrait, intelektualët mund t’u shërbejnë jo vetëm forcave radikale, por edhe konservatore. Prandaj, politikanët gjejnë frymëzim dhe mbështetje tek këta vegjetues në shoqëritë e krizës, për të arsyetuar shkeljet dhe dështimet që i bëjnë, po njëherësh këta intelektualë, vegjetimin e tyre e shesin si autoritet dhe status kreativ e modern duke marrë privilegjet për merita të veçanta, qoftë të jenë edhe plagjiatorë recidivë.
…
Demokracitë sikur edhe tiranitë – diktaturat, nuk u krijuan dhe as nuk funksionojnë pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të intelektualëve politikë, pikërisht me autoritetin dhe diskursin e tyre moralizues. Vështirë të gjendet veprim barbar i ndonjë prijësi apo sistemi represiv, mbas të cilit të mos qëndrojë një garniturë ideatorësh, nxitësish intelektualë apo paraintelektualë, të cilët kryesisht projektojnë vendimin kolektiv të kombit apo ideologjisë që duan ta bëjnë realitet pushteti. Kamuflimi i tillë, i cila i nënshtrohet domosdoshmërive gjoja morale, në fakt, bart tendencën që ajo të kontrollojë dhe të sundojë plotësisht politikën reale. Kështu edhe në institucionet kulturore dhe shkencore, flihet si në zyrat arkaike administrative.
Në një gjendje të tillë krize, vërtet, cili mund të jetë veprimi më i mirë i mundshëm i intelektualit? Një përgjigje lidhur me këtë dilemë ka provuar të japë Pinter Harold, dramaturgu kundërthënës anglez, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi, në esenë Të jesh intelektual sot. Ai, ndër të tjera, vlerëson se përpara intelektualit ekzistojnë disa mundësi: të heshtë dhe të bëhet i marrë, të protestojë, duke menduar se lufta për një botë më të mirë është më e rëndësishme se fusha e krijimtarisë së tij apo të vëhet në funksion të pushtetarëve dhe të rrijë e të bëjë sehir, se si pafundësisht keqpërdoren vlerat e punës së tij.
…
Me intelektualët pa frymë logjike dhe kritike, frymëmarrja kolektive e secilit vend është e dobët dhe pa shenja se do të forcohet. Kolektivja, është çadra e madhe e vegjetimit. Prandaj, nuk ka një përgjegjësi për punët, aty ku ka edhe refuzim masiv për ndryshime. Si të ndodhë ndryshimi? A duhet një treg më i hapur, më konkurrues dhe më vlerësues që të shmanget profili ideologjiko-politik e klientelist që është dominues gjithmonë nëpër institucione, nëpër të cilat përzihet secila dora e zgjatur e mediokritetit politik?
E qartë, nuk është e lehtë, sepse privilegjet titullare të autoritetit publik nuk i janë shtruar një vlerësimi thjesht profesional.
Prandaj, nuk pranohet se ekziston kriza e privilegjeve, e cila nuk i është shtruar asnjëherë një vlerësimi të plotë, për të qartësuar hierarkinë e krijuar, bazuar kryesisht në trashëgiminë politike, klineteliste apo edhe administrativo-burokratike. Jo pak intelektualë shfrytëzojnë autoritetin e qeveritarëve apo të qendrave të forcës, për të rritur autoritetin e tyre publik.
Prandaj, nuk është risi. Në shoqëritë ku ka pasur dhe ka konfuzion real, nuk është pranuar dhe as nuk pranohet ndonjë kriza. Pranimi do të thotë rishikim, rivlerësim, reformë, në të cilën humben piramidat e krijuara me mjegull të natës.
Faji për këtë gjendje varfërie intelektuale nuk bie vetëm mbi politikanët dhe politikat mediokre, por edhe mbi intelektualët politikë. E vërteta, kjo përzierje e mediokërve politikanë për t’u paraqitur dhe qenë intelektualë të mëdhenj dhe e mediokërve intelektualë për të qenë politikanë të mëdhenj, është fatkeqësia që vazhdon të ndodhë, shijen e së cilës e ndjejnë më së miri të rinjtë e arsimuar.