Berisha: Përmendja e Metës lidhur me Sigurimin e Shtetit – falsifikim i Ramës

E publikuar: 27/07/2022 17:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se përmendja e ish-presidentit të Shqipërisë,Ilir Metës, se ishte i përfshirë në aktivitetin sigurimit të shtetit në kohën e komunizmit, është një akt i shëmtuar i turpshëm i kryeministrit Edi Rama.

Berisha ka theksuar se kjo është një falsifikim dhe manipulim i shpifur.

“Pas inaugurimit të monizmit të plotë, Edi Rama, në traditën më të shëmtuar të bllokmenëve hoxhistë, i tmerruar nga opozita, urdhëron falsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish – Presidentin e Republikës Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit”.

“Pa dyshim një falsifikim dhe manipulim i shpifur ky. Ish Presidenti Meta si parlamentar i është nënshtruar nga viti 1996 deri sot verifikimit periodik si kandidat opozite dhe mazhorance për deputet në Parlamentin e Shqipërisë, nga i cili në të gjitha rastet ai ka rezultuar pa asnjë lidhje me policinë sekrete”.

“Me këtë sulm të ulët dhe amoral Edi Rama përpiqet të vendosë në harresë firmën prej xhelati të Kristaq Ramës në varjen e poetit Havzi Nela dhe pushkatimin e qytetarëve të tjerë të pafajshëm. Me këtë sulm Edi Rama përpiqet të krijojë tymnajë për vjedhjet e tij të tmerrshme gjatë 23 viteve në pushtet si kryetar bashkie dhe kryeministër, ai përpiqet të sfumojë akuzën për 200 milionë euro të fshehura prej tij në bankat ofshore të denoncuara në Raportin e OSBE – së në vitin 2014, për të cilin heshti si fije bari”, thuhet në njoftim, transmeton KlanKosova.tv.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!