Berisha për Abazoviqin: I peshoi bishti më shumë se koka, si shqiptar s’mund të dëshmohet më serb se serbët

E publikuar: 20/08/2022 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, ka reaguar pas rrëzimit të Dritan Abazoviqit nga posti i kryeministrit të Malit të Zi, duke thënë se ai bëri histori, por “i peshoi bishti (viçi) më rëndë se koka”.

Berisha tha se Abazoviq është i ri, energjik, pro-evropian dhe se e priti mirë emërimin e tij, por sipas tij, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, gabimin fatal e bëri me nënshkrimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.

“Në një gabim fatal firmosi një marrëveshje me Kishën raciste të Serbisë në kundërshtim flagrant me interesat, pavarësinë e Malit të Zi dhe interesin e shqiptarëve në vendin fqinj, marrëveshje që nuk e firmosi as paraardhësi i tij serb”.

“Po kështu Abazoviçit i rëndoi bishti (viçi) më rëndë se koka kur u rreshtua me presidentin e serbomadhisë, ultranacionalistin Vuçiç dhe vasalin e këtij të fundit Edi Rama në nismën e Ballkanit të Hapur, projekt që i kundërvihet nismës së Berlinit dhe vendos hegjemoninë serbe dhe influencën ruse në rajon”, shkroi Berisha, transmeton Klankosova.tv.

Rrëzimin nga posti i kryeministrit të Abazoviqit, Berisha nuk e sheh si fundin e karrierës së tij politike, ku uroi që ai të nxjerrë mësime, teksa shtoi se si shqiptar nuk mundet kurrë të dëshmohet serb më shumë se serbët.

Kujtojmë se mbrëmë Dritan Abazoviq u shkarkua nga posti i kryeministrit të Malit të Zi, ku mocionin e pozitës e votuan 50 deputetë.