Ish kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka komentuar sot në seancën e Kuvendit vizitën e kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Tiranë, dhe konferencën për shtyp të mbajtur me homologun e tij Edi Rama.
Berisha i është drejtuar kryeministrit shqiptar duke i thënë se diskutimet dhe konferenca duhet të ishin fokusuar në çështje të rëndësishme siç është hekurudha dhe projekte të tjera rajonale, dhe jo në faktin se kush e hodhi dronin, Olsi Rama apo dikush tjetër.
Lidhur me lajmin që po qarkullon këto ditë në media e një ministre serbe ka thënë se për 15 ditë Rama dhe Vuçiq nënshkruajnë protokollin për ndërtimin e autostradës Nish-Durrës që do të kushtojë 1 miliardë euro, Berisha tha se nuk është kundër këtij projekti, por me kusht që të mos neglizhohet Kosova.
“Këto ditë ka dalë në media një lajm se një ministre serbe ka njoftuar se brenda 15 ditëve do firmoset një protokoll apo memorandum midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq për autostradën Nish -Durrës. Unë personalisht e quaj këtë një zhvillim shumë të rëndësishëm pasi ne i kemi kërkuar Qeverisë serbe në mënyrë të përsëritur të shqyrtojë mundësinë e këtij projekti, por ajo që është e papranueshme, është bypass-i i Kosovës. Ajo rrugë, Shqipëria ka bërë segmentin e vet mund të ketë nevojë për ndonjë ndërhyrje të vogël, po ajo rrugë është e pa ndërtuar në një segment të Kosovës në një segment të tërë në Serbi. Nuk do të kemi asnjë lloj kompleksi për të mbështetur këtë projekt me kushtin e vetëm që Kosova të jetë në tavolinë në të gjithë lobingun në të gjitha aktet. Mund të jetë e nevojshme të firmoset për lobing për këtë projekt. Bypassi është absolutisht i papranueshëm dhe e bën projektin të papranueshëm”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek projektet rajonale Berisha tha se projekti më i rëndësishëm për të cilin Shqipëria duhet të lobojë fuqishëm është hekurudha Tiranë-Prishtinë, dhe se Serbia po të dojë të bashkohet.
“Qeveria shqiptare duhet të angazhohet me të gjithë potencialin e saj për rrugën Tiranë-Prishtinë, nuk janë asgjë hekurudhat e tjera. Kjo është e vetmja hekurudhë që çan fushave, dhe të nxjerr në Evropën Qendrore, e vetmja hekurudhë që i bën portet e Shqipërisë, portet më të rëndësishme nga Selaniku gjer në Trieste. Ndaj dhe ne sa bëjmë lobing për të tjerët të bëjmë lobing për veten tonë se projekti kryesor që duhet të promovojë Shqipëria, Kosova dhe po të dojë Serbia të bashkohet është hekurudha Tiranë-Prishtinë. Duhet të merrej me këto dhe jo me faktin se thotë Aleksandri se Olsi nuk e hodhi dronin, të krijon përshtypjen sikur erdhi për të bërë amnistinë e Olsit. Nuk janë këto parësore, pra nuk duhet të ngazëllehet pse u amnistua Olsi, por duhet të merret me projekte më serioze, edhe ne duhet të lobojmë, projekti numër një i yni, dhe ne duhet të lobojmë, projekti numër 1 i mirëfilltë i Shqipërisë është hekurudha Tiranë-Prishtinë”, tha Berisha.
Edhe më herët Berisha ka thënë se lidhja e Nishit me Durrësin është i mirëpritur dhe është një sugjerim i mëparshëm i Qeverisë shqiptare bërë Qeverisë së Serbisë. Por se natyrisht për këtë qëllim lypset që Serbia të ndërtojë segmentin Nish-Merdar dhe Kosova të ndërtojë segmentin e vet të shkurtër Prishtinë – Merdar. Kurse Shqipëria ka ndërtuar vite më parë të plotë segmentin e vet. Berisha thekson se anashkalimi i Kosovës në këtë nismë nuk i shërben realizimit të saj