Berisha kërkon protesta të enjten, kërkesën e kundërshton kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së

E publikuar: 13/12/2023 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas kërkesës së SPAK dërguar Kuvendit për ashpërsimin e masës ndaj Sali Berisha lidhur me çështjen “Partizani”, ish-kryeministri i Shqipërisë në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar ka kërkuar se krahas aksionit të deputetëve, gjatë seancës, të zhvillohen dhe protesta para parlamentit.

Sipas propozimit të Berishës në mbledhje, para parlamentit të mblidhej një pjesë e strukturave të qarkut të Tiranës. Këtë propozim, Berisha e ka argumentuar duke thënë se mazhoranca po i heq të drejtat e opozitës.

Propozimi i Berishës është kundërshtuar nga kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, i cili ka deklaruar se nuk ka arritur ende koha për të thirrur qytetarët në protestë, pasi do duhet ende që këtë betejë ta përballojnë deputetët.

Bardhi ka theksuar se protestat e zhvilluara në kohën që SPAK ka nisur një kërkesë për Berishën në Kuvend, do të keqinterpretoheshin nga opinioni publik. Argumentimi i Bardhit në mbledhje është mbështetur edhe nga Flamur Noka./Klan News/