Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë konferencës së sotme për media, u pyet edhe mbi ndryshimin e 180 gradë të qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, për çështjen e tij brenda 24 orëve.
“Në fakt edhe partia edhe kryeministri duket se u kanë mbrojtur. Çfarë ndryshoi dhe aludohet se i keni bërë presion te kryeministri?”, ishte një nga pyetjet “me spec” që gazetarët i drejtuan sot atij.
Por në përgjigjen e tij, Tahiri përveç mohimit të një marrëdhënieje me shantazhe dhe kërcënime me kryeministrin Rama për çështjen që i rrezikon seriozisht burgu, ka lëshuar edhe një fjali të çuditshme, e denjë për marrëdhënie pazaresh: Nuk dua mbrojtje falas, nga askush!
“Këto janë përralla që bëhen nga ata që janë mësuar ta shohin politikën si lidhje konjukturash. Mua me PS më ka bashkuar gjithmonë vetëm e vërteta, s’më ka bashkuar as konjuktura, as qëllimi për të mbrojtur njëri-tjetrin. Kështu që mos kërkoni të gërmoni aty ku nuk ka dhe nuk do të gjeni gjë. E përsëris unë nuk kam kërkuar mbrojte nga askush. Unë nuk dua mbrojtje falas nga askush. Unë dua t’i shkoj të vërtetës deri në fund. Unë dua të përballem me të gjithë me kokën lart. Deputetët e PS do të mbrojnë një qëndrim që ka lidhje me të vërtetën, jo me Saimir Tahirin”, ka thënë për këtë çështje ish-ministri i Brendshëm.
Ajo që bie në sy në retorikën e Tahirit është e folura, me kode. Në ditën e parë të plasjes së skandalit kur edhe Rama e dorëzoi fillimisht në duart e drejtësisë, ai simulo një dalje rastësore përpara gazetarëve të instaluar përpara shtëpisë së tij, vetëm për të lëshuar mesazhin: “Nuk keni parë asgjë akoma!”.
Sot me ndërgjegje apo jo, ai la për të kuptuar se është në pazar për mbrojtjen e vetvetes dhe kjo nuk po bëhet falas. Por në shkëm të çfarë gjëje, Rama vendosi të ndryshojë qëndrim dhe ta mbrojë fort Tahirin?
Tashmë dihet që Edi Rama në këto rrethana nuk ka nevojë për para, por vetëm për zbatimin e kodit të “Omertës”, nga ana e Tahirit tashmë.















