Pas dy dekadave, po kthehet prapë në vendin e njëjtë. Oborri i shkollës fillore “Ali Ajeti” në Sfeçël të Podujevës, Fiton Bashotës i kujton kohën më të rëndë gjatë luftës.
Ai ishte në mesin e mijëra refugjatëve që të ikur nga serbët u mblodhën në këtë vend.
Për të parë vuajtjet e shqiptarëve, në zonën e Llapit kishte depërtuar një ekip gazetarësh grek që me 12 maj 1999 realizuan këtë fotografi, ku Fitoni shihet duke u prerë flokët refugjatëve.
Edhe nevoja për t’u qethur në kohë lufte, ishte goxha e madhe dhe këtë e bënte Fitoni me profesion berber
21 vjet nga ajo kohë, Fiton Bashota pos këtyre fotografive që ka, ka ruajtur edhe mjetet e punës me të cilat punonte që nga viti 1994.
E nostalgji për Bashotën, sjell edhe objekti dhe oborri i shkollës së vjetër në këtë fshat, ku qëndruan për më shumë se 10 ditë.
E këtë zanat, Bashota e la pas luftës, kur u angazhua si përkthyes në KFOR e më pas edhe në Eulex dhe në organizata të ndryshme ku punoi.