Politologu Belul Beqaj ka theksuar se mosfunksionalizimi i Speciales do të thotë zvogëlim i mbështetjes ndërkombëtare.
Beqaj ka dhënë një vlerësim përkitazi me zvarritjen e procesit të themelimit të Gjykatës Speciale.
Ai ka thënë për “Epokën e re” se kjo gjykatë do të themelohet me ose pa Kosovën. Sipas tij, janë dy probleme rreth çështjes së kësaj gjykate.
“Në njërën anë është vështirë ta mbështesin këtë vendim ata dhe bashkëvepruesit që supozohet se do të jenë objekt i kësaj gjykate. Në anën tjetër, është fakt se kjo gjykatë e heq një pjesë të sovraniteti të pushtetit të Kosovës. Kuvendi, pas presioneve të shtuara, mund të mblidhet. Edhe nëse nuk mblidhet, Gjykata do të funksionalizohet ngaqë rreziku është shumë më i madh nëse ajo nuk funksionalizohet sa i përket bashkëpunimit me ndërkombëtarët, por edhe çështjeve të brendshme që ndërlidhen me persona që supozohet se kanë kryer krime të luftës”, ka deklaruar Beqaj, duke shtuar se me themelimin e Gjykatës Speciale sovraniteti i Kosovës do të rrezikohet edhe më shumë nëse gjyqësori mbetet i paralizuar.
Në pyetjen nëse ka rrezik që Kosova të penalizohet në procesin e liberalizimit të vizave dhe të MSA-së, në rast se nuk e themelon Gjykatën Speciale, Beqaj ka thënë se mbështetësit e Kosovës e kanë kuptuar me vonesë se nëse nuk fillon pastrimi i shkaktarëve të kapjes së pushtetit.
Sipas tij, vendi po shkon drejt dështimit.
“Mosfunksionalizimi i Gjykatës Ndërkombëtare do të thotë zvogëlim i mbështetjes ndërkombëtare, pa të cilën ne nuk mund të kemi gjasa të konsolidohemi. Natyrisht se fajtorë kryesorë jemi ne, por edhe ndërkombëtarët deri vonë e kanë mbështetur një politikë të tillë. Por, ndërkombëtarët e kanë kuptuar se vazhdimi i kësaj politike e drejton Kosovën në greminë, edhe tërë angazhimin e tyre”, është shprehur Beqaj.