E ashtuquajtura Zyre për Kosovën në kuadër të Qeverisë së Serbisë, ka mohuar informacionin se ka rënë dakord me autoritetet e Kosovës për ndërtimin e vendkalimeve të përhershme kufitare.
Gjithashtu, sipas komunikatës për media të kësaj Zyre, Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arritur marrëveshje edhe për hapjen e dy vendkalimeve të reja kufitare, duke thënë se “këto vendkalime do të jenë neutral karshi statusit”, transmeton Telegrafi.
“Jemi lodhur me demantimet të vazhdueshme të deklaratave të Prishtinës rreth interpretimit për arritjen e marrëveshjeve, pasi pothuajse pas çdo takimi në Bruksel gjatë gjithë procesit të negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës, këta të fundit po vazhdojnë ta keqinformojnë publikun. Duam të theksojmë se në takimin e djeshëm nuk u ra dakord për ‘ndërtimin e gjashtë kalimet të përhershme kufitare’ e as ‘për hapjen e dy kalimeve të reja kufitare, siç shkruan në njoftimin e sotëm të nxjerr nga ana e Prishtinës zyrtare. Por, as termi ‘kalimi kufitar’ nuk është përmendur ndonjëherë gjatë gjithë procesit të bisedimeve në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel”, thuhet në deklaratën e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën.
Qeveria serbe shton se në takimin e djeshëm në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, si pjesë e dialogut teknik për menaxhimin e integruar të kufirit, është rënë dakord për detajet teknike të hapjes së dy kalimeve administrative, e cila u ra dakord gjatë takimit të dy kryeministrave (Kosovës dhe Serbisë) më 21 prilli në Bruksel. /Telegrafi/