Beogradi kërkon shpjegim për vrasjen e dy serbëve nga amerikanët

E publikuar: 22/02/2016 09:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një sulm ajror nga forcat amerikane – në një rajon në Libi – që kishte për qëllim shkatërrimin e një baze të ISIS-it, ka lënë të vdekur edhe dy shtetas serbë, të cilët kohë më parë ishin kidnapuar nga terroristët dhe po mbaheshin në kampin terrorist – në Sabratha. CIA thotë se nuk kishte informacione që ndodheshin serbë në kamp, por Aleksandër Vuçiq ka thënë se Serbia do të kërkojë nga SHBA-të një shpjegim të detajuar për rastin, njofton Klan Kosova.

Dy punëtorë të ambasadës serbe në Libi, Sladjana Stankoviç dhe Jovica Stepiç – që ishin rrëmbyer kidnapuar kohë më parë nga grupi terrorist ISIS, janë vrarë nga një sulm i forcave ajrore amerikane në Libi, shkruan B92 i Serbisë, raporton Klan Kosova.

Lajmi është bërë publik të shtunën nga ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ndërsa në një prononcim, më vonë atë ditë, këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri serb, Aleksander Vuçiç.

Ministri i Jashtëm ka thënë se Serbia do të kërkojë shpjegime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Libia dhe do të punojë për të parë se kush është përgjegjës në këtë rast. Daçiq shtoi se askush nuk e ka informuar Serbinë për sulmin, e as Uashingtoni nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për rastin.