Ditë të nxehta merkatoje për Karim Benzema, emri i të cilit është lidhur me disa klube angleze me në krye Arsenalin që trokiti në derën e Realit të Madridit me 65 milionë Euro. Kur mendohej se francezi po bënte gati valixhet për t’u zhvendosur në “Fly Emirates”, një mesazh në Twitter nga vetë futbollisti sqaron situatën. “Të gjithë njerëzve njerëzve që duan t’i bëjnë tifozët e mi të besojnë gjëra të gabuara po ju them se kjo është shtëpia ime. Forca Madrid”, shkruan bomberi francez në profilin e tij. Një deklaratë që heq të gjitha hijet e dyshimit të 27-vjeçarit i cili kërkon të vazhdojë aventurën në “Santiago Bernabeu”, ndryshe nga ajo që kanë shkruart mediat gjatë ditëve të fundit. Ndërkohë edhe vetë trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger e pranon se klubi i tij është tërhequr nga gara për të afruar sulmuesin duke theksuar se vetë klubi i Realit të Madridit nuk ka ndërmend ta shesë. “Kjo është një histori e mbyllur, një histori që është zhvilluar në media gjatë çdo jave. Kur një lojtar ka një kontratë, atëherë është klubi që vendos për të”, nënvizon Ëenger, duke konfirmuar tërheqjen përfundimtare për pistën Benzema. Francezi u transferua te Reali i Madridit 6 vjet më parë dhe mesa duket nuk ka ardhur ende momenti për t’i dhënë lamtumirën klubit “merengues”. Me këtë fanellë ai ka luajtur 281 ndeshje dhe ka shënuar 134 gola.