“Bëmë çmos për ta penguar njëri-tjetrin”, a ishte kjo përgjigje e Ramës për Kurtin

E publikuar: 27/11/2022 12:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për herë të parë Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë mbajtën një mbledhje të përbashkët në Tiranë, në prag të festës së 28 nëntorit.

Përveç parlamentarëve, pjesë e kësaj seance të veçantë ishin edhe dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Edi Rama, të cilët nga foltorja folën për historinë e të ardhmen e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit.

Para Ramës, si mysafir, foli Kurti, raporton Gazeta Express.

Ai tha se si dy shtete, Kosova e Shqipëria duhet të përfshihen në çështjen publike të njëra-tjetrës, por jo edhe ta pengojnë.

“Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar”, tha Kurti në foltore.

Por, krejt të kundërtën e tha Rama kur doli në foltore. Ai tha se duhet bërë çmos për ta penguar njëri-tjetrin.

“Po rikthehem aty ku u nisa me ata të cilët i hapën rrugë, shumë kohë më parë, mundësive që ne patëm më pas. Një pjesë të mundësive ne e shfrytëzuam, ne shqiptarët flas, një pjesë të mundësive ne e huqëm në një pjesë të konsiderueshme të kësaj bashkëjetesës sonë në këtë që quhet trualli i Shqipërisë. Ne bëmë çmos dhe vazhdojmë të bëjmë çmos për ta penguar njëri-tjetrin, herë me sukses herë pas sukses, por sot që është një ditë e mirë, e bukur është një ditë frymëzuese edhe për këtë pamje e cila i ka mbledhur të gjithë bashkë, pavarësisht do të donim ose s’do donin njëri-tjetrin qoftë edhe në një mëhallë në jetën e përditshme”.

Pas kësaj, Rama tha se do që dy emra t’i sjellë këtu në vëmendje “pa të cilët s’do të kuptohet dot as ardhja deri në këtë ditë as vazhdimësia përtej kësaj dite – LDK dhe UÇK”.