“Belgrade Auto Show 2015” sjell shumë premiera (Foto+Video)

E publikuar: 21/03/2015 13:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjithsesi më joshësi ishte Mercedes AMG GT S, një veturë super e fuqishme me motorin 4.0-litra V8 biturbo, i cili ofron deri në 510 kuaj fuqi, arrin shpejtësinë maksimale prej 310 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për vetëm 3.8 sekonda

Të enjten në Beograd, është bërë hapja e panairit më të madh në rajon për vetura, “Belgrade Auto Show 2015”, ku modelet e tyre i kanë prezantuar disa nga prodhuesit më të mëdhenj të veturave në Evropë dhe më gjerë. Falë bashkëpunimit me kompaninë “Auto Mita”, e cila është përfaqësuese e disa brendeve të veturave, si Mercedes, Renault, Dacia dhe tani edhe Nissan, edhe ekipi i Zëri-t ishte i pranishëm në para-hapjen e këtij panairi, i cili fillimisht është bërë vetëm për medie. Në këtë panair ka pasur premiera të shumta të brendeve të ndryshme, por gjithsesi se vëmendjen më të madhe të medieve kanë tërhequr tri premierat e Mercedes-it, ato për modelin më të ri super-sportiv Mercedes AMG GT S, Mercedes Maybach dhe Mercedes S-Class Coupe si dhe dy modelet nga Renault, ai Kadjar dhe Espace.

Mercedes AMG GT S, një bishë e vërtetë

Gjithsesi më joshësi ishte Mercedes AMG GT S, një veturë super e fuqishme me motorin 4.0-litre V8 biturbo i cili ofron deri në 510 kuaj fuqi, arrin shpejtësinë maksimale prej 310 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për vetëm 3.8 sekonda. Edhe përkundër kësaj fuqie të jashtëzakonshme, harxhimet mesatare të tij janë vetëm 9.6 litra për 100 kilometra të kaluara. Sa i përket çmimit të tij, ai sillet në rreth 140 mijë euro. Modeli tjetër Mercedes Maybach është një veturë super-luksoze dhe tejet atraktive. Motori i tij V12 biturbo ofron 530 kuaj fuqi. Shpejtësia e tij është e kufizuar në 250 km/h, shpejtësinë nga 0 në 100 km/h e arrin për 5 sekonda, ndërsa harxhimet mesatare janë rreth 9 litra për 100 km.

 

Dy risi nga Renault

Risi të këndshme kishte edhe nga Renault. Me këtë rast janë dhënë dy premiera. Bëhet fjalë për modelin Renault Kadjar, që është një pasardhës i modelit Captur, i cili ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme të shitjes. Kadjar bën pjesë në segmentin C të veturave ‘Crossover”. Bëhet fjalë për një model inovativ dhe tejet atraktiv, me një stil të jashtëm fluid dhe atletik, derisa pjesa e brendshme përveç që është sportive, është edhe tejet e rafinuar, ku janë përdorur materiale të kualitetit të lartë.

Posedon motorin 1.5 litërsh me naftë, i cili është modeli më ekonomik i motorit të ofruar, ku harxhimet e tij llogariten të jenë rreth 3.8 litra për 100 kilometra të kaluara dhe me emetim të gazrave CO2 prej 99g/km. Pritjet për këtë model janë jashtëzakonisht të larta, pasi qysh tani ka një interesim tejet të madh për të.
Premiera tjetër nga Renault, ishte modeli Espace. Edhe modelet e mëhershme të Espace, kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshëm në treg, kjo falë hapësirës së bollshme që ofron, pastaj nivelit të lartë të sigurisë si dhe harxhimet e arsyeshme. Tek modeli i ri, tani shohim një dizajn edhe më atraktiv, me linja të përkryera të dizajnit të jashtëm, një brendi tejet komode dhe e këndshme për sy, me hapësirë të bollshme për të gjithë pasagjerët, që në këtë rast bëhet fjalë për 7 pasagjerë, një përdorim i pajisjeve të teknologjisë së lartë, e shumëçka tjetër. Motori i tij është ai Energy 160 EDC me teknologji Twin Turbo 1.6 litërsh dhe 160 kuaj fuqi, pastaj Energy DCI 130, 1.6 litërsh me 130 kuaj fuqi dhe Eneegy TCe 200 EDC 1.6 litërsh me 200 kuaj fuqi.

 

Edhe Ford me premierë të Ford Mondeo-s

Përveç modeleve që tashmë gjenden në treg, kompania Ford ka bërë prezantimin e modelit të ri Ford Mondeo dhe Ford Mondeo karvan. Modeli plotësisht i ri sjell, ka një dizajn mjaft atraktiv të jashtëm, dhe një brendi po aq atraktive dhe komode, në të cilën janë aplikuar teknologji të fjalës së fundit dhe materiale të kualitetit të lartë. edhe motorë tejet të fuqishëm por ekonomik. Motori me benzinë përfshinë versionin 1.5 litërsh Eco Boost, atë 2.0 litërsh EcoBoost dhe modelin 1.0 litërsh EcoBoost i cili çuditërisht është tejet i fuqishëm. Sa i përket motorëve, në opsion është ai 2.0 litërsh TDCi turb-charging me 210 kuaj fuqi, pastaj motori 1.6 litërsh në kombinim me teknologjinë ECOnetic që ofron 150 kuaj fuqi, ndërsa versioni i këtij motori 2.0 litërsh, ofron 180 kuaj fuqi.

Citroen sjell modelin C4 Cactus

Në këtë panair, prezantimi kryesor nga Citroen, ishte modeli i ri C4 Cactus. Ky model ka një dizajn shpërthyes, duke ofruar një stil unik i cili është jo vetëm funksional, por gjithashtu edhe atraktiv.

Motoja e këtij modeli, është më shumë dizajn, komfor më i madh, teknologji më të përdorshme dhe kosto të ulëta të mirëmbajtjes. Sipas prodhuesit, modeli i tij i motorit 1.6 litërsh, ka harxhime prej vetëm 3.4 litra për 100 kilometra të kaluara, çka e fut në grupin e veturave me harxhimet më të vogla në treg.

Prezantime të shumë prodhuesve të tjerë

Edhe shumë kompani tjera të automjeteve, kanë bërë prezantimin e modeleve të tyre, duke përfshirë Wolksvagen, Audi, BMW, Mazda, Mitsubishi, Opel, Jaguar, Alfa Romeo, Jeep, Range Rover, etj, ndërsa një model i veçantë dhe super-sportiv, ishte ai Sin R1 RS, një veturë bishë, me motor 6.2 litërsh i cili ofron 444 kuaj fuqi, shpejtësi maksimale prej 315 km/h, ndërsa shpejtësinë nga 0 në 100 km/h, e arrin për vetëm 3 sekonda.

/Zëri/