Belgjika e paralajmëroi Spanjën për rrezikun

E publikuar: 25/08/2017 11:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet belge kishin informuar prej kohësh policinë e Katalonjës për pikëpamjet ekstremiste të imamit Abdelbaki EsSati.

Marokeni 40 vjeç dyshohet si personi që ideoi sulmet terroriste të 17 dhe 18 gushtit në Spanjë, ku humbën jetën 15 persona dhe u plagosën mbi 100 të tjerë. Megjithatë në raportin që autoritetet belge i kishin dërguar atyre spanjolle, që në vitin 2016 nuk konstatohen lidhje mes EsSatisë me ndonjë grup militantësh ekstremistë islamikë.

Imami maroken i dyshimtë drejtonte prej vitit 2015 një xhami në qytezën katalanase Ripol. Në vitin 2016, ai ishte larguar drejt Belgjikës – sipas raporteve policore – për të kërkuar punë. Në Belgjikë kishte qëndruar për 3 muaj.

Xhamia e Ripolit ku predikonte EsSati, frekuentohej nga terroristët që organizuan sulmet e javës së kaluar në Spanjë. Sipas dëshmive të familjarëve, të rinjtë marokenë ishin radikalizuar prej imamit 40 vjeç, ndaj dhe dyshohet se ishte pikërisht ai pjesë e celulës së Shtetit Islamik që organizoi sulmin në mënyrë të pavarur.

Imami EsSati u vra më 16 gusht në Alkanar, gjatë shkatërrimit të një ndërtese që shërbente si bazë për përgatitjen e bombave artizanale. Ndërtesa u shkatërrua pas shpërthimit të lëndëve plasëse, që përdoreshin për ndërtimin e këtyre bombave.
Nga dëshmitë e terroristëve të arrestuar, rezulton se bombat do të përdoreshin për të kryer sulme edhe më të fuqishme në Spanjë. Por në mungesë të tyre, terroristët sulmuan me furgon këmbësorët në bulevardin Las Ramblas në Barcelonë.