Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i është gëzuar tej mase vendimit për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindjen e tij.
Pacolli, përmes një kumtese dërguar mediave, ka thënë amaneti i Isa Begut më në fund po përmbushet dhe eshtrat e tij, pas një qëndrimi të gjatë në pritje do prehen në kullën e tij në Boletin, pranë të afërmve të vdekur më herët, dhe të tjerëve që po e mbajnë gjallë emrin e tij.
“Dua të falënderoj së pari familjarët e Isa Begut, që morën vendimin më të urtë në përputhje me traditën e shqiptarit dhe atë të gjithë njerëzimit, respektimin e vullnetit të mbramë të një heroi. Falënderimi i dytë shkon për Agim Bahtirin, kryetarin e Mitrovicës që me këmbëngulje, pa u dorëzuar për asnjë çast, e realizoi premtimin e tij të mëhershëm. Ai takoi gjithë autoritetet më të larta të Shqipërisë, qytetarë të shumtë, akademikë dhe më në fund e realizoi institucionalisht amanetin e Isa Begut. Eshtrat e tij do të prehen më në fund të qeta, atje ku e kanë vendin”, ka thënë Pacolli.
Presidenti i AKR-së, Pacolli, ka falënderuar me këtë rast edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama që pas këmbënguljes së gjithë familjarëve, nuk insistoi në një vendim tjetër, për ta varrosur në Vlorë.
“Nuk ka diskutim se vendi në histori i Isa Beg Boletinit është afër atij të Ismail Qemalit, me vendimet që mori, me aktet historike të mbrojtjes së shtetit të ri shqiptar, krijimit të Gardës, etj, etj. Por në kushtet kur në Vlorë nuk ka një Panteon të gjithë figurave të pavarësisë, dhe Kosova meritonte ta kishte një simbol si Isa Boletini, një monument përkujtimi për gjithë brezat. Me diskutimet rreth vendit të varrimit, ne treguam pjekuri si komb: figura e Isa Boletinit që na bashkoi në gjallje të tij, nuk na ndau në vdekje”, theksoi Pacolli.
“Tash kur ky amanet i Isa Boletinit u përmbush, ne duhet në mënyrë të dinjitetshme ta përkujtojmë veprën e tij. Ta shndërrojmë Boletinin, këtë pjesë kreshnike të territorit të Kosovës, në një vend pelegrinazhi të qetë të gjithë brezave të shqiptarëve kudo që janë ata”, përfundon kumtesa e Pacollit.