Prokuroria Themelore e Prishtinës pretendon se vrasja e policit Shemsi Gashi ishte planifikuar dy javë më parë.
Kallxo.com ka siguruar kopjen e kërkesës për caktimin e paraburgimit ku precizohet se dy javë më parë të dyshuarit Vesel Gj. dhe Kujtim B. ishin pajtuar që për 5 mijë euro të kryenin vrasjen e policit Shemsi Gashi.
Sipas dokumentit të prokurorisë, pagesën për vrasjen do e kryenin dy kusherinjë të viktimës, të cilët më parë kanë pasur probleme pronësore me të ndjerin.
Në dokumentin prej katër faqesh ndër të tjera precizohet se prokuroria dyshon që dorasi i kësaj ngjarjeje ka qenë Vesel Gj, ndërsa i dyshuari Kujtim B. e ka ndihmuar Veselin duke qëndruar afër tij gjatë gjithë kohës.
Skënder Musa, avokati i të dyshuarit Vesel Gj. i ka konfirmuar se klienti i tij e ka pranuar vrasjen, mirëpo sipas avokatit klienti i tij ka qenë i manipuluar.
“Ai e ka pranuar veprën penale. Ne shpresojmë dhe besojmë se organet e ndjekjes do ta marrin parasysh bashkëpunimin e klientit tim rreth ndriçimit të rastit”, ka thënë avokati Musa.
Avokati tjetër Behar Ejupi, mbrojtës i Kujtim B. nuk ka dashur të komentojë rreth këtij rasti.
Dyshimet e prokurores Fikrije Fejzullahu se vrasja e policit Gashi ishte planifikuar dy javë më parë dhe për të njëjtën janë premtuar 5 mijë euro, janë prezantuar sot para gjykatëses së procedurës paraprake Alltëne Murseli.
Kjo e fundit në orët e pasdites ka vendosur që për të pandehurit të caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Para gjykatëses Murseli sot është paraqitur edhe i dyshuari i tetë i këtij rasti Robert G. I njëjti dyshohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Robert G. është arrestuar pasi gjatë bastisjeve rreth vrasjes së policit Gashi në shtëpinë e tij ishte zbuluar një arsenal armësh duke përfshirë një skorpion, një pushkë, një armë “AK 47”, një armë brezi dhe mbi 100 fishekë.
Avokatja Lule Bilalli-Ymeri, mbrojtëse e Robert G. i tha se klienti i saj i dyshuar për armëmbajtje pa leje gjatë procedurës së intervistimit ka vendosur të mbrohet në heshtje.
Sipas avokates, Gashi është i dyshuar vetëm për armëmbajtje pa leje dhe për të njëjtin prokuroria nuk ka asnjë pretendim se është i përfshirë në vrasje.
Rreshteri 61 vjeçar Shemsi Gashi u qëllua tetë herë mëngjesin e 25 marsit. Ai punonte në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Deri më tani për vrasjen e Gashit janë arrestuar shtatë persona duke përfshirë edhe katër të afërm të tij.
Me 27 mars katër të afërmit e policit Gashi ,Ramadan G, Mujë G, Agron.G dhe Adonis G. janë paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake.
Ata kanë mohuar dyshimet se kanë gisht në vrasjen e kushëririt të tyre. Tre nga të arrestuarit janë duke u mbajtur në paraburgim, ndërsa i dyshuari Adonis G. në arrest shtëpiak. /kallxo.com/