Kryeshefi i Telekomit, Gent Begolli, ka dhënë dorëheqje vetëm 5 muaj pasi e mori detyrën.
Burime të KTV-së bëjnë të ditur se Begolli e ka dorëzuar aktin e dorëheqjes te Bordi i Telekomit gjatë ditës së mërkurë.
“Kohavisioni” kishte mësuar ditë më parë se ai kishte presion nga Qeveria, konkretisht nga kryeministri Haradinaj që të shkëpuste kontratën me Z-Mobile, porse ai ishte i vetëdijshëm se një gjë e tillë kishte rrezik të çonte drejt falimentimit.
Megjithatë, vetë Begolli në “Interakitv”, kishte thënë se vazhdonte të kishte marrëdhënie të mira me kryeministrin Haradinaj, në partinë e të cilit kishte qenë para se të vihej në krye të Telekomit.
Ndërkohë, burime të tjera bëjnë të ditur se Begolli po e braktis Telekomin për t’u kthyer sërish në Komunën e Prishtinës, por tash si nënkryetar i saj.
“Kohavisioni” ka raportuar ditë më parë se Telekomi ka probleme financiare dhe është në prag të falimentimit për shkak se ka dështuar të respektojë marrëveshjen me kompaninë Z-Mobile, me ç’rast do t’i kursente rreth 30 milionë euro, dëmshpërblim ky i caktuar nga arbitrazhi.
Z-Mobile e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë marrëveshjen për arbitrazhin.
Vetë kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri –Berisha, i kishte thënë KTV-së se vlera e Telekomit të Kosovës ka rënë në vetëm 22 milionë euro, dhe madje me gjithë infrastrukturën përcjellëse.
Sipas saj, edhe po të shpallej falimentimi, Telekomi nuk do të kishte mundësi ta paguante operatorin Z-Mobile.
“Gjasat e pagesës së gjithë borxhit përnjëherë, janë minimale. Edhe nëse shkohet me falimentim, ky borxh nuk mund të mbulohet, për shkak se neto pasuria e Telekomit në këto momente është rreth 22 apo 23 milionë euro. Një vendim i mundshëm i gjykatës që ky vendim të ekzekutohet, e sjell në falimentim të menjëhershëm Telekomin – çka nënkupton se rrezikohen 2,400 punëtorë dhe familjet e tyre”, ka thënë Shatri-Berisha.
Ndryshe, Telekomi, edhe pse në krizë financiare, ka paguar miliona euro avance për qira e shërbime të ndryshme marketingu për kompanitë, të cilat kanë qenë të lidhura me politikën.
Tre milionë euro i ka paguar për qira, Telekomi i Kosovës për lokalin në sheshin “Nënë Tereza”. Rreth 31 mijë euro në muaj paguan për të Vala, pavarësisht se kjo pronë është e kontestuar.
Ky objekt ishte hedhur në privatizim, por ishte penguar dhe kundërshtuar nga Sami Lushtaku.
Derisa avance kanë marrë edhe djemtë e Adem Grabovcit përmes kompanisë ‘Flexus’, për disa hapësira reklamuese.