Begaj pret në takim Presidentin e Letonisë, në fokus siguria dhe mbrojtja

E publikuar: 02/10/2025 18:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics.

Vizita e tij në Tiranë pason atë të Presidentit Begaj në Riga vitin e kaluar, e cila ishte vizita e parë shtetërore e një Presidenti të Shqipërisë në tre vendet baltike, shkruan vizionplus.tv.

Si kryetarë shtetesh aleate në NATO, Presidentët Begaj dhe Rinkēvičs trajtuan sot në takim çështjet e mprehta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në një kohë kur provokimet ruse u intensifikuan me shkeljet e hapësirës ajrore të disa shteteve.

Gjithashtu, gjatë takimit u bisedua edhe për marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për situatën në Ballkanin Perëndimor, dhe në rajonin baltik.

Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë për sigurinë, duke theksuar kontributin e Letonisë përmes trupave në KFOR në Kosovë, si dhe të trupave shqiptare në prezencën e përparuar të NATO-s në “Camp Adazi” të Letonisë.

Të dy Presidentët ndanë qëndrim të njëjtë për sa i përket shqetësimeve të sigurisë, duke përfshirë agresionin rus, kërcënimet hibride dhe bashkëpunimin për sigurinë kibernetike, keqinformacioni dhe dizinformimi, brenda kornizave të NATO-s dhe BE-së.

Të dy Presidentët kanë rikonfirmuar qëndrimin e njëjtë për të dënuar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dukë shprehur angazhimin e palëkundur në mbështetjen e plotë për Ukrainën për ti dhënë fund luftës.

Në takim u rikonfirmua angazhimi edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Presidenti i Republikës i përcolli homologut të tij Rinkevics mirënjohje për mbështetjen e Letonisë në procesin e anëtarësimit evropian, duke u shprehur se ka pritshmëri të larta nga Presidenca Letoneze e BE-së në vitin 2028, në një kohë kur Shqipëria është zotuar të mbyllë negociatat në 2027-ën dhe në 2030 të bëhet anëtare e Unionit.

Presidentët Begaj dhe Rinkevics, pas takimit me delegacionet përkatëse mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.